Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

VEÇIMI I NJË VENDI TË CAKTUAR NË XHAMI PËR FALJEN E FARZIT

PYETJE: Shoh ca njerëz që zënë një vend të caktuar në xhami dhe nuk falen veçse në atë vend, pas imamit ose në anën e djathtë të safit etj. A është kjo vepër prej sunnetit?

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

Kjo vepër nuk është prej sunnetit, përkundrazi, është në kundërshtim me sunnetin. I dërguari i All-llahut ka ndaluar një veprim të tillë.

Nga Abdurr-Rrahman Ibën Shibli radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke ndaluar nga tri gjëra në namaz: Çukitja e korbit,[1] shtrirja e egërsirave,[2] dhe të veçojë njeriu një vend për vete në xhami (çdoherë të falet aty) ashtu siç e merr vendin deveja.” (Shejh Albani në librin e tij es-Silsiletus-Sahiha (1168), e ka klasifikuar si hadith hasen.)

Shejhul-Islam, Ibën Tejmije, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Asnjë njeriu nuk i takon të veçohet me diçka nga xhamia, gjithnjë duke i ndaluar të tjerët nga ajo gjë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga marrja e vendit si deveja, e që d.m.th. të veçojë një vend për vete në xhami dhe çdoherë të falet aty.” (Mexhmuul-Fetava 22/195).

Dijetarët kanë përmendur disa urtësi për sa i përket kësaj dispozite, si dhe disa aspekte negative që burojnë nga ky veprim.

Prej tyre po përmendim:

– Ibadeti në këtë vend të veçuar kalon në rutinë dhe traditë, dhe kështu e humbë kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e tij.

– Kjo vepër në vete ngërthen një pjesë të syefaqësisë dhe dëshirës për famë, si dhe ka mundësi të falet gjithnjë në atë vend që të thuhet: Ky është vendi i filanit.

– Ka mundësi që t’i pengojë të tjerët të falen në atë vend dhe kështu u bën zullum të tjerëve dhe ua ha hakun.

Shejh Xhemaluddin El-Kasimiu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Disa xhematlinjve u pëlqen të kenë një vend të posaçëm apo një anë të posaçme të xhamisë, qoftë mbrapa imamit, pranë minberit, në cepin e djathtë apo të majtë të xhamisë pranë murit, në pjesën e ngritur në fund të xhamisë, e kështu me radhë, saqë nuk është i kënaqur me ibadetin e tij përveçse nëse gjendet në atë vend. Kur sheh se dikush para tij e ka zënë atë vend, ndoshta kjo e detyron të kërkojë prej atij që të largohet nga ai vend, me pretekst se ky është monopol i tij, apo të largohet nga ai vend duke thënë: ‘La havle ve la kuvvete il-la bil-lah’, apo ‘Inna Lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun’. Po ashtu ka mundësi ta befasojë njeriun duke i thënë se ai është vendi i tij qe sa e sa vjet, si dhe ka mundësi të kërkojë ndihmë nga disa injorantë të tillë si ai, për ta “detyruar” njeriun t’ia lëshojë vendin, dhe gjëra të tjera të ngjashme të injorancës me të cilat janë sprovuar një numër i madh i xhamive. Sdomend se dashuria ndaj një vendi të caktuar në xhami buron nga injoranca, syefaqësia dhe dëshira për famë, apo që të thuhet se ai nuk falet veçse në filan vendin, apo që të thuhet se ai është njeri i safit të parë, gjëra të cilat ia asgjësojnë veprat, All-llahu na ruajt. Ta zëmë se ky njeri nuk ka për qëllim gjërat që i përmendëm, por të paktën me këtë veprim ai e humbë kënaqësinë e ibadetit për shkak të kujdesit të tepruar për këtë vend saqë gjëja për të cilën ai shkon në xhami është pikërisht ai vend. Ndërsa kjo gjë është e ndaluar nga pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.” (Islahul-Mesaxhid Minel-Bidei Vel-Avaid).

Shejh Albani, All-llahu e mëshiroftë, bën një ndërlidhje ndaj fjalëve të Kasimiut, dhe thotë: “Kam parë një njeri të tillë, prej xhematit të rëndomtë, i cili nuk falej veçse mbrapa imamit duke mos lëvizur as djathtas e as majtas as sa një fije floku. E nëse dikush ia zinte vendin, qoftë edhe prej dijetarëve, ai i hedhte një shikim nga i cili mjaftueshëm kuptohej se duhej t’ia lironte vendin.”

Shejh Abdullah El-Fevzani thotë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar që njeriu të veçojë një vend për vete në xhami dhe çdoherë të falet aty ashtu siç deveja e veçon vendin e saj… Veçimi i një vendi të caktuar në xhami bën që njeriu ta humbë kënaqësinë e ibadetit për shkak të lidhjes së madhe dhe kujdesit të tepruar ndaj atij vendi, mund të çojë deri te dëshira për famë dhe syefaqësia, ndikon në pengimin e njeriut të falet në vende të ndryshme të cilat do të dëshmonin për të në ditën e kiametit. Disa njerëz që kanë veçuar një vend për vete, kur shohin se dikush ua ka zërë vendin, i kap inati ndaj tyre, dhe ndoshta kjo i bën që ta largojnë njeriun që ua ka zënë vendin apo i bën që të jenë arrogantë ndaj tyre.” (Ehkamu Huduril-Mesaxhid)

Një gjë tjetër me rëndësi:

Ekzistojnë transmetime që tregojnë se nuk ka ndonjë ndalesë nëse dikush veçon një vend të caktuar në xhami për të falur namazet nafile. Nga Jezid ibën Ebi Ubejdi na përcillet se ka thënë: “Shkoja me Seleme ibën Ekve’ në xhami, ndërsa ai falej te ruli (shtylla e rrumbullakët). Unë i thashë: O Ebu Muslim, po e shoh se gjithnjë po falesh te ky rul. Ai më tha: “E kam parë pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjithnjë duke u falur te ky rul.” (Shënojnë Buhariu 502 dhe Muslimi 509).

Ibën Rexhebi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Në këtë hadith shihet qartë se nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse njeriu e veçon një vend të caktuar në xhami për të falur namazet nafile. Në këtë hadith në mënyrë të qartë përmendet se ky namaz i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë nafile.” (Fet’hul-Bari 2/644-648).

Kjo dispozitë ka të bëjë në veçanti me xhamitë. Ndërsa për sa u përket shtëpive, nuk ka ndalesë që njeriu të veçojë një vend të caktuar në shtëpinë e tij për të falur namazin. “Këtë gjë e ka praktikuar Utban ibën Maliku radijAll-llahu anhu, ndërsa i dërguari i All-llahut e ka miratuar veprimin e tij.” (Shënon Buhariu 424 dhe Muslimi 33).

Neveviu, All-llahu e mëshiroftë thotë: “Në këtë hadith shihet se nuk ka pengesë që të veçohet një vend për namaz në shtëpi. Ndërsa ndalesa për veçimin e ndonjë vendi për të falur namazin ka të bëjë me xhaminë për shkak të frikës nga syefaqësia, etj.” (Sherh Muslim 15/161).

All-llahu e di më së miri.

 

[1] Aludohet në sexhden e shpejtë, d.m.th. është aq e shpejtë saqë i përngjet çukitjeve të korbit me sqepin e tij në tokë për ta marrë ushqimin. (shën. përkth.)

[2] Aludohet në shtrirjen e krahëve përtokë gjatë sexhdes, mu ashtu siç shtrihen egërsirat. (shën. përkth.)

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.