Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Transplantimi i pjesëve të trupit, pjesa -II-

Transplantimi i pjesëve të trupit, pjesa -II-

Falënderimi dhe Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe shpëtimi i Tij qofshin për të Dërguarin e Tij, familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij.

Si plotësim i pjesës së parë në këtë çështje, vlen të ceken disa dispozita shtesë që kanë të bëjnë me transplantimin, prej tyre:

1- Transplantimi i organeve nga i vdekuri tek i gjalli. Sa i përket personit të vdekur fillimisht duhet ditur se kemi të bëjmë me dy raste:

  1. a) I sëmuri i cili është goditur me vdekje të trurit, e cila është: ndërprerja e përhershme e funksionit të trurit të njeriut, pa kthim mbrapa. Po ashtu i godituri me vdekje klinike. Ky rast, dispozita e tij sipas sheriatit është sikurse personi i gjallë, andaj gjykimi për të është sikurse te personi i gjallë, gjë që është sqaruar në pjesën e parë.
  2. b) I vdekuri tek i cili është vërtetuar dalja e shpirtit dhe mbarimi i jetës së tij në mënyrë të sigurt. Gjykimi: Transplantimi nga i vdekuri, ka të njëjtin gjykim sikurse tek i gjalli. Pra, të dy mendimet e cekura në pjesën e parë të kësaj teme ekzistojnë edhe këtu. Duke shtuar se tek i vdekuri sipas mendimit që e lejon një gjë të tillë, lejohet edhe transplantimi i pjesëve që shkaktojnë vdekje, apo paaftësi të ndonjë organi vital të tij, si: zemra, mëlçia, truri, etj. sepse tashmë personi është i vdekur. Gjithnjë duke iu përmbajtur kushteve të lartpërmendura, duhet shtuar këtu: Marrja leje paraprake nga vet personi sa ishte gjallë, ose me pëlqimin e familjes së tij pas vdekjes, pra nuk lejohet vetëm së me lejen e tyre. Këshilli Ndërkombëtar i Fikhut Islam, pas shqyrtimit të studimeve fikhore dhe mjekësore të bëra në këtë drejtim, në mbledhjen e tyre te mbajtur në Xhiddeh me 1408 h, ka vendosur se: lejohet transplantimi i organeve, qoftë nga i gjalli, apo nga i vdekuri, sipas kushteve të lartcekura.

2- Transplantimi nga kafsha te njeriu. Së pari, duhet ditur se kafshët sipas legjislacionit islam janë dy lloje:

  1. a) Të pastërta: janë ato kafshë që lejohet ngrënia e mishit të tyre.

Gjykimi: Lejohet transplantimi i organeve të këtyre kafshëve tek njeriu, me kusht që të therret së pari sipas rregullave të sheriatit. Nëse nuk therret, atëherë nuk lejohet përveç në rast domosdoshmërie.

  1. b) Të ndyta: janë ato kafshë që nuk lejohet ngrënia e mishit të tyre.

Gjykimi: Nuk lejohet transplantimi nga këto kafshë, përveç në raste shume te domosdoshme, si: frika nga shkatërrimi, apo humbja e ndonjë pjese trupore, atëherë në këtë rast lejohet.

3- Transplantimi i fabrikuar. Këtu hyjnë: organet e fabrikuara nga materialet e ndryshme plastike, qelqi, etj.

Gjykimi: Lejohet. Për rastet e lartcekura shih vendimin e Këshillit Ndërkombetar të Fikhut, të mbajtur në Indi, me 1410 h. Shih po ashtu librin: Fikhu newazil te dr. Muhamed Xhejzani, vëll. 4.

4- Transplantimi nga embrioni apo foshnja e abortuar, te njeriu.

Gjykimi: Ka dy mendime lidhur me këtë çështje: I pari: Nuk lejohet. I dyti: Lejohet nëse është qëllimi për të shpëtuar një jetë. Me kusht që mos të abortohet qëllimisht mirëpo të jetë abortim natyral, apo me arsye sheriatike. Allahu e di më së miri.

 Këshillë: Çdokush që detyrohet ta marrë një hap të tillë drejt transplantimit, e këshillojmë që para së gjithash të konsultohet me dy persona:

I pari: Mjeku specialist i besueshëm, ashtuqë ta orientojë në opsionet e mundshme dhe efikase.

I dyti: Hoxhë i besueshëm që ka njohuri rreth gjykimit të kësaj çështje, ashtuqë ta orientojë në atë që është e lejuar dhe ta largojë nga ajo që është e ndaluar. Lus Allahun t’i shërojë të sëmurët e muslimanëve dhe t’u japë begati dhe mirëqenie. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Përgatiti: Agron Krasniqi

Comments are closed.