Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

NARKOTIKËT DHE SHERIATI ISLAMIK

Vëlla i dashur! Dije se sheriati ynë islamik të çon në përmirësim dhe ta ndalon çrregullimin…

Prej narkotikëve më të njohura dhe më të përhapura në mesin e njerëzve janë hashashi dhe tabletat narkotike. Në vazhdim do t’i themi ca fjalë për to.

Hashashi

Hashashi është një lëndë narkotike që nxirret nga një bimë që quhet “cannabis sativa”. Ajo është një bimë e keqe dhe e ndaluar (haram). Imam Dhehebiu në librin e tij “Mëkatet e Mëdha” thotë: “Hashashi, i cili prodhohet nga gjethet e kanabisit është haram sikurse alkooli. Konsumuesi i tij dënohet njëjtë sikur konsumuesi i alkoolit. Ai është më i keq se alkooli për nga aspekti se e prish mendjen dhe karakterin derisa ndikon në zhburrnimin dhe humbjen e xhelozisë së njeriut për moralin e familjes së tij, që do të thotë se nuk i pengon imoraliteti i femrave të afërta të familjes së tij, si dhe çrregullime të tjera. Ndërsa alkooli është më keq për nga aspekti se çon në armiqësi, zënka, e kështu me radhë. Që të dyja janë vepra që e pengojnë përmendjen e All-llahut dhe namazin. Thuhet që hashashi është i fëlliqur sikurse alkooli. Sidoqoftë, ajo bën pjesë në atë që All-llahu dhe i dërguari i Tij e kanë ndaluar, pra në gjërat dehëse si për nga aspekti teorik dhe praktik, si dhe bën pjesë në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Çdo dehës është haram…”

Tabletat narkotike

Ato janë tableta shumë të dëmshme ngase prodhohen apostafat për qëllime të këqija, të cilat nuk janë të panjohura për njeriun mendjemprehtë, dhe përmbajnë një sasi të madhe të substancave të dëmshme si dhe një lëndë që thuhet se është përzierje mes alkoolit, mjeteve anestetike dhe afionit. Në vazhdim do të përmendim disa prej dëmeve të tyre:

  1. Ato janë mjete që shkaktojnë plogështi dhe dehje, ndërsa ne jemi ndaluar nga çdo gjë që plogështon apo dehë në hadithin që e shënojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi.
  2. Nga përvoja është vërtetuar se marrja e tabletave narkotike ndikon në tharjen e trurit dhe ndonjëherë shkakton tërbim te konsumuesi i tyre, si dhe nga konsimimi i tyre dalin ca sekrecione jo të natyrshme që shkaktojnë neveri, marramendje dhe dobësim të rrahjeve të zemrës.
  3. Konsumimi i vazhdueshëm i tyre shkakton qelbëzim të shpretkës duke prodhuar pika të zeza dhe të verdha, si dhe duke nxjerrë një sekrecion të keq që përbëhet nga puçrra me erë të neveritshme. Ato ndikojnë në çaktivizimin e shpretkës dhe çojnë deri te pezmatimi, kalbëzimi dhe sekretimi, të shoqëruara me disa sekrecione të çuditshme, e që është një sëmundje e cila e dobëson imunitetin e të lënduarit, kështu që shëndeti i tij vazhdon të dobësohet derisa t’ia dorëzojë shpirtin Krijuesit të tij dhe për këtë nuk do të ketë arsyetim para Tij, duke e ditur se All-llahu ia ka ndaluar atij gjërat e këqija, ia ka tërhequr vërejtjen në lidhje me to dhe ia ka ndaluar vrasjen e vetes.
  4. Me konsumimin e këtyre tabletave, njeriu e shkatërron shtëpinë e tij, e humbë krenarinë dhe i zhduket drejtësia sheriatike në mesin e myslimanëve.
  5. Me këtë veprim ai është shembull i keq për pasuesit e tij dhe e ka gjynahun njëlloj sikur ata që e pasojnë pa ua pakësuar atyre gjynahun.
  6. Kjo kategori e njerëzve e hapë derën e sherrit për veten e tyre dhe i fton njerëzit të hyjnë në të. Thirrja për në devijim, ashtu siç bëhet me fjalë, mund të bëhet edhe me vepër, sikur ai që konsumon narkotikë dhe bëhet i varur prej tyre, ndërsa të tjerët e pasojnë në këtë vepër të poshtër, kështu që e ka gjynahun njëlloj sikur ata që e pasojnë për shkak se e kanë ditur të vërtetën por e kanë refuzuar.
  7. Dëmi i këtyre tabletave nuk ndikon direkt vetëm te konsumuesi i tyre por ndikon negativisht edhe te pasardhësit, familjarët dhe shoqëruesit e tij.
  8. Përvoja ka vërtetuar se këto tableta e asgjësojnë trupin, duke e pasur parasysh se shkaktojnë sëmundje të menjëhershme, siç e cekëm më parë.
  9. Konsumimi i këtyre tabletave shkakton spazmë dhe paralizë të gjymtyrëve si rezultat i mpiksjes së gjakut dhe ndikon në çrregullime në qarkullimin e gjakut, kështu që nuk punon natyrshëm, dhe si rezultat i kësaj vjen deri te krijimi i një rrëmuje në gjendjen e tij shëndetësore dhe sulme në zemër, të cilat e shqetësojnë, ia ngushtojnë jetën dhe i prishin rehatinë.
  10. Konsumimi i këtyre tabletave shkakton halucinacione në sytë e përdoruesve të tyre, kështu që vizualiteti përpara tyre u përzihet dhe ngjyrat që i kanë para vetes u duken të ndryshme nga ç’janë në realitet. Kështu, objektet para vetes i sheh si dy të tilla, diellin e sheh si të verdhë në mes të ditës, e kështu me radhë. Këto halucinacione u ngjajnë atyreve të njeriut të dehur, përveçse këto janë më të rrezikshme dhe zgjasin më shumë.
  11. Konsumimi i këtyre tabletave dhe gjërave të ngjashme me to, në psikologjinë e njeriut ndjellë frikën e pashmangshme në çdo moment që e përjeton. Pra, ai është në frikë të vazhdueshme dhe në çdo moment pret se mos po i ndodhë diçka e papritur. Janë këto shqetësime që kurrë nuk e lënë të qetë dhe kurrë nuk e lënë stabil. Çdo zë që e dëgjon mendon se është kundër tij. Këta janë ndër njerëzit më të këqinj, frika u ka hyrë nga çdo anë, frikohen nga përfundimi i keq, frikohen nga dominanca e sëmundjeve ndaj tyre, shtretërit u duken të ashpër, veshët i kanë të shurdhër, sytë i kanë të verbëruar, ashtu siç u bie morali dhe u humben vetitë e burrërisë, saqë lirohen nga çdo virtyt, përvetësojnë çdo ves dhe bëhen prej krijesave më të dëmshme tek All-llahu, e që janë ata të shurdhëtit (që nuk dëgjojnë të vërtetën) dhe memecët (që nuk e thonë të drejtën) të cilët nuk logjikojnë.

Vëllezër besimtarë! Kijeni frikë All-llahun, mëshirojeni veten tuaj dhe ruajeni nga dënimi i All-llahut për shkak të një pasioni rrëmbyes dhe të ndaluar. Kini kujdes nga këto shigjeta vrasëse dhe merrni mësim nga viktimat e tyre, të cilët kanë vdekur për shkak të veprimeve të këtilla, ndërsa All-llahu i ka qortuar ata që pasionet dhe dëshirat e tyre i respektojnë si të ishin Zot i tyre. All-llahu i Madhërishëm thotë: “A e ke parë ti (Muhammed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin, atë All-llahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij, më thuaj, pos All-llahut, kush mund ta udhëzojë atë? A nuk merrni mësim?” (El-Xhathije 23).

O All-llah! Ktheji të devijuarit në rrugën e drejtë. Na ruaj neve dhe ata nga dënimi i xhehennemit. O Zot, na e bëj të dashur imanin dhe zbukuroje atë në zemrat tona. Na e bëj të urryer mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin dhe na drejto në rrugën e drejtë. Pranoi lutjet tona, o Zot i të gjitha botëve!

 

www.thirrjaislame.com

Shkroi: Sultan Aid El-Harithij

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

Comments are closed.