Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

GJËRA QË S’DUHET BËRË PARA NAMAZIT

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën robi do të merret në llogari në ditën e kiametit është namazi. Nëse me të kalon mirë, edhe me veprat e tjera dpo të kalojë mirë. E nëse me të kalon keq, edhe me veprat e tjera do të kalojë keq.”

Në vazhdim do të përmendim ca gjëra që namazfalësi nuk duhet bërë para namazit.

  1. Mos u fal duke qenë i përgjumur

– Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut njëherë hyri në xhami dhe vërejti një litar të lidhur mes dy shtyllave. Ai pyeti: “Ç’është ky litar kështu?” I thanë: Ky litar është i Zejnebes. Ajo falë namaz afër tij, e kur i vjen gjumi, falet duke u mbajtur për të. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: “Zgjidheni, zgjidheni. Faluni duke qenë të kthjellët. E kur t’ju kaplojë gjumi (lodhja), atëherë flini.”

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet natën për të falur namaz, por e lexon kur’anin me ngatërresë (vështirësi) saqë nuk dallon ç’është duke thënë, atëherë le të shtrihet për gjumë.”

– Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse ndonjërin prej jush e kaplon gjumi (dremitja) duke qenë në namaz, le të pushojë (flejë) derisa t’i kalojë gjumi, ngase nëse falet i përgjumur, ndoshta duke dashur të bëjë istigfar, ka mundësi të lutet kundër vetes.”

  1. Mos u fal duke qenë i uritur

– Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush është duke ngrënë, mos të ngutet dhe le të hajë sa ka nevojë, edhe nëse thirret ikameti për namaz.”

– Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur shtrohet ushqimi dhe njëkohësisht thirret ikameti për namaz, jipni përparësi ushqimit.”

Hattabiu thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që t’i jepet përparësi ushqimit, në mënyrë që njeriu të marrë prej saj aq sa ka nevojë, kështu që kur të hyjë në namaz, të jetë i qetë psikologjikisht dhe të mos e shqetësojë oreksi për ushqim duke e bërë që të shpejtojë në ruku dhe sexhde dhe të mos ia japë hakun namazit.”

Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma dhe Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se njëherë ata po hanin ushqim dhe mish të pjekur. Ndërkohë erdhi muezzini për të bërë ikametin. Me këtë rast, Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma tha: “Mos u ngut për namaz derisa ta hamë këtë mish. Mos të hymë në namaz ndërsa mendja të na mbetet këtu.”

Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma i jipte përparësi ushqimit nëse koincidonte me namazin, edhe nëse i ikte namazi me xhemat. Ndodhte që ia shtronin ushqimin dhe njëkohësisht bëhej ikameti për namaz, por ai nuk nisej për namaz derisa ta përfundonte ushqimin, edhepse e dëgjonte leximin e imamit në namaz.

Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu thotë: “Prej mençurisë së njeriut është të plotësojë nevojën e tij (për ushqim), që kur të fillojë namazin, ta ketë zemrën e qetë.”

Begaviu thotë: “Kjo vlen nëse njeriu ka oreks të madh për ushqim, dhe ka hapësirë të mjaftueshme kohore për namaz. Por nëse njeriu është prej atyre që përmbahet para ushqimit, nuk i pengon uria dhe dëshira për ushqim, dhe kjo nuk e bën që të shpejtojë gjatë namazit, atëherë i jep përparësi namazit. Ndodhte që pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ndante një kofshë deleje për të ngrënë, por kur thirrej ikameti për namaz, e linte ushqimin dhe falte namazin.”

  1. Mos u fal nëse kaplohesh nga nevoja fiziologjike apo gazrat e stomakut

– Nga Abdullah ibën Erkami radijAll-llahu anhu na përcillet se ai i printe fisit të tij në namaz. Njëherë erdhi për namaz, por njëkohësisht u thirr ikameti. Atëherë ai tha: “Le t’ju prijë njerëzve në namaz dikush tjetër, ngase e kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Kur të hyjë koha e namazit dhe ju ndieni nevojë fiziologjike, atëherë filloni me nevojën fiziologjike.”

– Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Mos u falni në prani të ushqimit, e as duke duruar nevojën fiziologjike.”

Imam Ahmedi thotë: “Njeriu që ndien nevojë fiziologjike (të madhe ose të vogël), nuk duhet filluar namazin. E nëse e fillon namazin dhe më pas ndien nevojë të tillë, le të mos e ndërpresë namazin derisa nevoja fiziologjike nuk ia vështirëson gjendjen. E gjithë kjo ka të bëjë nëse ka hapësirë kohore të mjaftueshme për namaz. Por nëse koha është e ngushtë dhe ndikon që t’i ikë namazi derisa të hajë ushqimin apo të lirohet nga nevoja fiziologjike, atëherë nuk i jepet përparësi asgjëje tjetër veç namazit.”

  1. Mos ha hudhër apo qepë para namazit

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush ha hudhër, të mos na shqetësojë me të në xhami.”

– Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush ha hudhër, të mos vijë në xhami.”

– Nga Me’dan ibën Ebi Talha El-Ja’muriu na përcillet se Omer ibën Hattabi në një hutbe të Xhumasë, pasi falënderoi dhe lartësoi All-llahun, tha: “O ju njerëz, ju hani dy bimë, për të cilat unë mendoj se janë të ndaluara; hudhra dhe qepa. Sikur në kohën e të dërguarit të All-llahut të shihja ndonjë njeri i cili kundërmon erë hudhre apo qepe, do ta kapja për krahu dhe do ta nxirrja deri në varrezat ‘El-Beki’. E ai që e ka patjetër të hajë prej tyre, le ta gatuajë mirë (për t’ia neutralizuar erën).”

Arsyeja e ndalesës së hudhrës dhe qepës është era e keqe e tyre, nga e cila njerëzit shqetësohen dhe neveriten. Kjo vlen edhe për gjërat e tjera që kundërmojnë erë të neveritshme. Nga Maliku na përcillet se ka thënë: “Nëse rrepa kundërmon erë të keqe, e ka statusin sikur të hudhrës.”

Po ashtu prej arsyeve është se edhe melaiket shqetësohen nga era e tyre.

– Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush ha prej kësaj bimeje me erë të keqe (hudhrës), mos t’i afrohet xhamisë, ngase melaiket shqetësohen nga ajo që shqetësohen njerëzit.”

  1. Mos i fut gishtat mes njëri-tjetrit para namazit

– Nga Ka’b ibën Uxhre na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur ndokush prej jush merr abdest ashtu si duhet, e pastaj niset për në xhami, të mos i fusë gishtat mes njëri tjetrit, sepse derisa është në pritje të namazit, ai është në namaz.”

  1. Mos shko në namaz me nxitim, por me qetësi

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur të thirret ikameti për namaz, mos shkoni (në xhami) me nxitim, por shkoni duke ecur me qetësi. Atë që e arrini (nga namazi), faleni, ndërsa ajo që ju ikën, plotësojeni.”

  1. Mos kalo para atij që falë namaz

– Nga Ebu Xhehmi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Sikur ta dinte ai që kalon para njeriut që falë namaz se çfarë mëkati bën, më mirë për të do të ishte po të qëndronte dyzet, sesa të kalonte para tij.” Transmetuesi thotë: Nuk e di a tha dyzet vjet, muaj, ditë apo interval kohor.

– Nga Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet, të mos lejojë askënd të kalojë para tij, dhe ta pengojë sa të ketë mundësi. E nëse refuzon, atëherë le ta shtyjë, ngase ai është shejtan.”

  1. Mos u fal mes dy shtyllave të xhamisë në saf

– Nga Abdul-Hamid ibën Mahmudi na përcillet se ka thënë: “Njëherë u falëm mbrapa njërit prej udhëheqësve myslimanë, kështu që xhemati na ngushtuan dhe ne u falëm mes dy shtyllave në saf, ndërsa Enesi radijAll-llahu anhu u kthye në safin mbrapa. Kur e mbaruam namazin, Enesi tha: Në kohën e të dërguarit të All-llahut, i largoheshim kësaj gjëje.”

Arsyeja e kësaj është që shtyllat të mos e këpusin safin e xhematit. Por nëse njeriu falet vetëm, atëherë nuk prish punë.

  1. Mos i shkëput safet

– Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush e lidhë një saf, All-llahu i mban lidhjet me të; e kush e shkëput një saf, All-llahu i shkëput lidhjet me të.”

  1. Mos u fal përveçse me sutre para teje

– Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Mos u fal pa sutre dhe mos lejo askënd të kalojë para teje. E nëse refuzon, atëherë shtyje, ngase ai është shejtan.”

  1. Mos fal nafile nëse ka filluar namazi farz

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur të fillojë namazi farz, nuk ka namaz tjetër veç farzit.”

  1. Mos e bëj nijetin me gjuhë

Nijeti është rukn (pjesë përbërëse) e namazit, bazuar në hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Veprat vlerësohen sipas nijetit…”, por nijeti bëhet me zemër, e jo me gjuhë siç e bëjnë shumë prej njerëzve. Ibën Kajjimi në librin e tij Zadul-Mead thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur fillonte namazin, e fillonte me ‘All-llahu Ekber’ dhe para kësaj nuk thoshte gjë tjetër. Po ashtu asnjëherë nuk e ka bërë nijetin me gjuhë, e as nuk ka thënë: Jam duke falur filan namazin, katër rekate, iu drejtova kibles, jam imam apo me’mum, e kështu me radhë. As edhe një fjalë e vetme nga këto gjëra nuk është transmetuar kurrë as me sened sahih e as me sened daif nga pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, madje as nga sahabët, si dhe asnjëri nga tabiinët dhe asnjëri nga katër imamët nuk e ka konsideruar këtë si punë të mirë.”

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

Shkroi: Xhemal Abdul-Mun’im EL-KUMI

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.