Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

GJËRA QË S’DUHET BËRË PARA DHE GJATË NAMAZIT TË XHUMASË

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën robi do të merret në llogari në ditën e kiametit është namazi. Nëse me të kalon mirë, edhe me veprat e tjera do të kalojë mirë. E nëse me të kalon keq, edhe me veprat e tjera do të kalojë keq.”

Gjëra që s’duhet bërë para namazit të xhumasë

  1. Mos shko me vonesë në namazin e Xhumasë

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Në ditën e Xhuma, në çdo derë të çdo xhamie qëndrojnë melaike dhe i shënojnë njerëzit një nga një. Ai që shkon herët, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një deve. Ai që shkon më vonë, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një lopë. Ai që shkon akoma më vonë, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një dash me brirë. Ai që shkon edhe më vonë, e ka shpërblimin sikur të kishte therur një pulë. Dhe ai që shkon edhe akoma më vonë (në momentin e fundit), e ka shpërblimin sikur të kishte dhënë lëmoshë një vezë. E kur imami ngjitet në minber, ata i mbyllin regjistrat e tyre.”

  1. Mos shko në namazin e Xhumasë pa u pastruar dhe pa u parfumosur

– Nga Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Gusli në ditën e Xhuma është obligim për çdo njeri që ka arritur moshën e pubertetit. Po ashtu edhe përdorimi i misvakut, si dhe parfumosja.”

– Nga Evs ibën Evsi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet (lahet) mirë ditën e Xhuma, herët shkon në xhami në këmbë (duke ecur), dhe i shkon afër imamit, e dëgjon atë, heshtë dhe nuk flet fjalë të kota (boshe), për çdo hap që e bën prej shtëpisë së tij e deri në xhami i llogaritet si veprim i një viti agjërim dhe namaz nate.”

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush lahet ditën e Xhuma dhe pastrohet mirë, i vesh rrobat më të mira që ka dhe parfumoset, All-llahu ia falë mëkatet e bëra mes kësaj dhe Xhumasë së kaluar duke shtuar edhe tri ditë më tepër.”

– Nga Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet në ditën e Xhuma, parfumoset nëse ka parfum, i vesh rrobat më të mira që ka, dhe nuk kapërcen mbi qafat e njerëzve (duke synuar uljen në safet e përparme­), e falë atë namaz që e ka obligim ta falë, e pastaj kur imami të ngjitet në minber, heshtë dhe e dëgjon, do t’i falen mëkatet midis kësaj dhe xhumasë së kaluar.”

– Nga Semure ibën Xhundubi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kush merr abdest ditën e Xhuma, është e mjaftueshme dhe e bukur, e kush merr gusël, kjo është akoma më mirë.”

  1. Kur të hysh në xhami, mos u ul pa falur dy rekate Tehijjetul-Mesxhid (përshëndetje ndaj xhamisë), edhe nëse imami është duke mbajtur hutben[1]

– Nga Ebu Katade radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndokush prej jush hyn në xhami, të mos ulet pa falur dy rekate.”

– Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur ndonjëri prej jush të vijë në xhami ditën e Xhuma dhe e gjen imamin duke mbajtur hutben, le të falë dy rekate.”

– Po ashtu nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Derisa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po mbante hutben në ditën e Xhuma, një njeri hyri në xhami, ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A u fale?” Jo – tha njeriu. Atëherë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Çohu dhe fali dy rekate të shkurtra.” Pastaj tha: “Kur ndonjëri prej jush të vijë në xhami ditën e Xhuma dhe e gjen imamin duke mbajtur hutben, le të falë dy rekate të shkurtra.”

  1. Mos kalo mbi njerëz dhe mos i ndaj dy njerëz në saf

– Nga Abdullah ibën Busri na përcillet se një njeri erdhi në Xhuma duke kaluar nëpër (mbi) njerëz, ndërsa pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po mbante hutben, dhe me këtë rast iu drejtua me fjalët: “Ulu, sepse i shqetësove njerëzit dhe je vonuar.”

– Nga Selmani radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush lahet dhe pastrohet mirë në ditën e Xhuma, parfumoset e pastaj shkon në xhami dhe nuk i ndanë dy veta nga safi, pastaj falë atë namaz që e ka obligim ta falë, dhe kur imami mban hutben ai heshtë, All-llahu ia falë mëkatet e bëra mes kësaj dhe Xhumasë së kaluar.”

– Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Askush prej jush të mos e çojë vëllanë e vet në ditën e Xhuma nga vendi e më pas të ulet në atë vend, por le të thotë: Zgjerohuni (bëni vend).”

  1. Mos u ul në hallkë para namazit të Xhumasë

– Nga Abdullah ibën Amër ibën Asi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “Ka ndaluar që në xhami të zhvillohet shitblerje, publikim i gjësë së humbur, lexim të poezive, si dhe tubim në hallka para namazit të Xhumasë.”

 

Gjëra që s’duhet bërë gjatë namazit të xhumasë

 

  1. Mos u bëj i shkujdesur dhe mos fol derisa imami është në minber

– Nga Amër ibën Shuajbi, e ky nga babai i tij, ndërsa ky i fundit nga gjyshi i tij na përcjellin se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Në xhuma prezentojnë tre lloje njerëzish: Një njeri që prezenton dhe e prish xhumanë, sepse flet kur imami është duke ligjëruar në hutbe, kjo është hisja e tij nga xhumaja. Një njeri që prezenton me dua duke e lutur All-llahun, nëse do i jep, e nëse do nuk i jep. Dhe një njeri që prezenton i heshtur dhe i qetë, nuk kapërcen mbi qafat e njerëzve e as nuk shqetëson askënd. Këtij njeriu Xhumaja do t’ia shlyejë mëkatet deri në xhumanë e ardhshme duke ia shtuar edhe tri ditë të tjera, ngase All-llahu thotë: “Kush bën një vepër të mirë, ka shpërblim dhjetëfishin e saj.

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush merr abdest ashtu si duhet dhe pastaj shkon në namaz të Xhumasë, e dëgjon hutben me vëmendje dhe heshtë, do t’i falen mëkatet që i ka bërë nga Xhumaja e kaluar duke shtuar edhe tri ditë më tepër. Ai që prek guralecin, e humbë shpërblimin e namazit të Xhumasë.”

– Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ditën e Xhuma, derisa imami ligjëron në hutbe, i thua shokut tënd: ‘Hesht’, ti vetëm se ke thënë fjalë të kotë.”

– Ndërsa në një hadith tjetër nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Derisa i dërguari i All-llahut po mbante hutben e Xhumasë, kur ja, Ebu Dherri i tha Ubejj ibën Ka’bit: Kur është shpallur kjo sure? Ubejj ibën Ka’bi nuk iu përgjigj. E pasi përfundoi namazi, Ubejji i tha Ebu Dherrit: Ti nuk ke hise nga namazi yt përveç fjalës së kotë (boshe) që e the. Ebu Dherri shkoi tek i dërguari i All-llahut dhe ia rrëfeu rastin, ndërsa ai i tha: “Ubejji e ka thënë të vërtetën.”

  1. Mos u ul me këmbë të mbledhura dhe të ngjitura për barku

– Nga Sehl ibën Muadhi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar uljen me këmbë të ngjitura për barku në ditën e Xhuma, kur imami e mban hutben.”

– Nga Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar uljen me këmbë të ngjitura për barku në ditën e Xhuma…, d.m.th. kur imami e mban hutben.”

  1. Mos i ngrit duart gjatë duasë në minber

– Nga Husajni na përcillet se ka thënë: “Njëherë derisa Bishr ibën Mervani po mbante hutben, gjatë duasë i ngriti duart, ndërsa Umare ibën Ruvejbe radijAll-llahu anhu tha: All-llahu i shëmtoftë ato dy duar. E kam parë të dërguarin e All-llahut gjatë duasë duke mos shtuar gjë më shumë se kjo, dhe e ngriti gishtin tregues.”

 

[1] Kjo vlen edhe nëse njeriu hyn në xhami në momentin kur është duke u thirrur ezani. Pra, duhet falur dy rekate përshëndetje xhamisë, e nuk duhet vepruar si shumë njerëz të cilët presin sa të përfundojë ezani, e pastaj i falin dy rekatet, duke menduar se kjo është një gjë e mirë, por e vërteta nuk ashtë ashtu, duke e pasur parasysh se meqë njeriu është i urdhëruar të falë dy rekate derisa mbahet hutbeja, dëgjimi i së cilës është vaxhib, atëherë falja e dy rekateve gjatë ezanit është akoma më e obligueshme, duke e pasur parasysh që dëgjimi i ezanit nuk është vaxhib.

 

 

Shkroi: Xhemal Abdul-Mun’im EL-KUMI

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.