Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

GJËRA QË S’DUHET BËRË GJATË NAMAZIT

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën robi do të merret në llogari në ditën e kiametit është namazi. Nëse me të kalon mirë, edhe me veprat e tjera do të kalojë mirë. E nëse me të kalon keq, edhe me veprat e tjera do të kalojë keq.”

Në vazhdim do të përmendim ca gjëra që namazfalësi nuk duhet bërë gjatë namazit.

  1. Mos e le pa lexuar Fatihanë në çdo rekat

– Nga Ubade ibën Samiti radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka namaz ai që nuk e lexon Fatihanë (Çelësin) e Librit.”

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Kush fal një namaz pa lexuar në të nënën e kur’anit (Fatihanë), ai namaz është i mangët, i mangët, i mangët, jo i plotë.”

Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Cilido namaz në të cilin nuk lexohet fatihaja, ai namaz është i mangët, i mangët, i mangët.”

  1. Mos e tejkalo imamin gjatë thënies ‘Amin’ pas Fatihasë

Sunnet është që imami pasi të përfundojë leximin e Fatihasë të pushojë pakëz, e pastaj të thotë: ‘Amin’, si dhe xhemati të thotë ‘Amin’ pas tij.

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Kur imami thotë amin, edhe ju thuani amin, sepse nëse amini i ndokujt përputhet me aminin e melaikeve, atëherë i falen të gjitha mëkatet që ka bërë.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Kur imami thotë: Gajril-magdubi alejhim veled-dal-lin, thuani ‘Amin’, ngase melaiket thonë ‘Amin’ dhe imami thotë ‘Amin’. Nëse amini i ndokujt përputhet me aminin e melaikeve, atëherë i falen të gjitha mëkatet që ka bërë.”

  1. Mos lexo kur’an në ruku dhe sexhde

– Nga Ali ibën Ebi Talibi radijAll-llahu anhu na përcillet se “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar leximin e kur’anit në ruku.”

Tirmidhiu në lidhje me këtë hadith thotë: Hadithi i Aliut është hadith hasen sahih, dhe është mendim i dijetarëve prej sahabëve, të cilët leximin e kur’anit në ruku dhe sexhde e kanë konsideruar të urryer.

Arsyeja e kësaj ndalese është se rukuja dhe sexhdeja janë dy vendet kulminante të nënshtrimit dhe përuljes së robit ndaj Zotit të tij. Prandaj janë veçuar me dhikër (përmendje të All-llahut) dhe tesbih (madhërim të All-llahut), e jo me lexim kur’ani.

  1. Mos e tejkalo imamin në ruku dhe sexhde

– Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Unë tashmë jam plakur. Kur të shkoj në ruku, shkoni edhe ju pas meje. Kur të ngre kokën nga rukuja, edhe ju ngriteni pas meje. Kur të shkoj në sexhde, edhe ju shkoni pas meje. Të mos e shoh dikë që më tejkalon në ruku e as në sexhde.”

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na mësonte të mos e tejkalojmë imamin në ruku dhe sexhde. Kur të marrë tekbir, edhe ju merrni tekbir pas tij, dhe kur të bjerë në sexhde, edhe ju bini pas tij.”

– Nga Bera’ ibën Azibi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur faleshim mbrapa pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe ai e ngritte kokën nga rukuja, asnjëri prej nesh nuk e kërruste shpinën derisa i dërguari i All-llahut të binte në sexhde, e pastaj edhe ne binim në sexhde.”

  1. Mos e ngrit kokën para imamit

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: A nuk ka frikë ndonjëri prej jush kur e ngritë kokën nga rukuja para imamit që All-llahu t’ia shndërrojë kokën në kokë gomari.”

  1. Mos u ul siç ulet deveja

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur dikush prej jush të bjerë në sexhde, le ti vendosë duart e tij para gjunjëve, e të mos ulet si deveja.”

  1. Mos vjedh në namaz

– Nga Ebu Katade radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Vjedhja më e keqe që njeriu e bën është kur vjedhë nga namazi i tij.”  Thanë: E si vjedhë nga namazi i tij, o i dërguari i All-llahut? Tha: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden.”

  1. Mos u mbështet në duart e tua gjatë uljes në namaz

– Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka ndaluar që gjatë uljes në namaz, njeriu të mbështetet në dorën e majtë.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “I dërguari i All-llahut vërejti një njeri që po falej dhe gjatë uljes ishte mbështetur në dorën e tij të majtë, dhe i tha: “Mos u ul kështu; kjo është ulje e atyre që do të dënohen.”

  1. Mos i lëviz duart gjatë selamit

– Nga Xhabir ibën Semure radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Jam falur pas të dërguarit të All-llahut, dhe kur jipnim selam nga namazi, thoshim: Es-selamu alejkum, Es-selamu alejkum, duke lëvizur duart tona anash. I dërguari i All-llahut na shikoi dhe na tha: “Përse i lëvizni duart sikur të jenë bishta të kuajve të tërbuar? Kur të jipni selam nga namazi, kthehuni nga njeriu që e keni pranë dhe mos i lëvizni duart.”

  1. Gjatë namazit, mos u përngjaso me kafshët në vijim: Korbi, qeni, gjeli, dhelpra dhe deveja

– Nga Abdurr-Rrahman Ibën Shibl El-Ensariu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke ndaluar nga tri gjëra në namaz: Çukitja e korbit,[1] shtrirja e egërsirave,[2] dhe të veçojë njeriu një vend për vete në xhami (çdoherë të falet aty) ashtu siç e merr vendin deveja.”

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Miku im i ngushtë më ka porositur me tri gjëra dhe më ka ndaluar nga tri gjëra. Më ka porositur me namazin e vitrit para se të fle, me agjërim të tri ditëve nga çdo muaj dhe me dy rekate të Duhasë. Ndërsa më ka ndaluar gjatë namazit nga shikimi i dhelprës (shikimi rreth e rrotull), shtrirja e qenit (në një transmetim tjetër: shtrirja e majmunit) dhe çukitja e gjelit.”

– Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Drejtohuni në sexhde, dhe mos i shtrini krahët sikur i shtrinë qeni.”

  1. Mos i përplas duart njëra me tjetrën në namaz

– Nga Sehl ibën Sa’d Es-Saidiu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse ndokujt diçka ia tërheq vëmendjen në namaz, atëherë le të thotë ‘SubhanAllah’, sepse përplasja e duarve është për gra.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Ç’është puna me ju kur doni të tërhiqni vërejtjen në namaz, i përplasni duart. Kjo është për gra. Nëse ndokujt diçka ia tërheq vëmendjen në namaz, atëherë le të thotë ‘SubhanAllah’.”

  1. Mos thuaj gjë tjetër në namaz veç dhikrit dhe duasë

– Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: Ne e përshëndesnim me selam pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke qenë në namaz, e ai na e kthente selamin, por kur u kthyem nga Abisinia, unë i dhashë selam e ai nuk ma ktheu, ndërsa unë u brengosa shumë për këtë gjë, dhe prita derisa e përfundoi namazin. Pastaj i thashë atij: Më parë ti na e ktheje selamin duke qenë në namaz. Ndërsa ai më tha: “All-llahu bën risi në punët e Tij ç’të dëshirojë. Dhe prej risive që ka bërë është të mosfolurit gjatë namazit.”

– Nga Zejd ibën Erkami radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i drejtoheshim njëri-tjetrit (flisnim) gjatë namazit për gjëra që kishim nevojë, derisa u shpall ajeti: Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj All-llahut të jeni respektues (në namaze).”[3], dhe që atëherë u urdhëruam të heshtim (në namaz).”

– Nga Muavije ibën Hakem es-Sulemiu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një herë teksa po falja namaz me të dërguarin e All-llahut, kur një njeri i pranishëm teshtiu, e unë i thashë ‘Jerhamukellah’ (All-llahu të mëshiroftë). Njerëzit i drejtuan sytë nga unë, ndërsa unë thashë: Mos qofsha më! Ç’u bë me ju që po më shikoni ashtu? Atëherë ata filluan t’i godisnin me pëllëmbë kofshët e tyre. Kur e kuptova se po më jipnin shenjë që të mos flisja, atëherë heshta. I dërguari i All-llahut, që asnjëherë nuk kam parë mësues më të mirë se ai, as para tij e as pas tij, kur e mbaroi namazin, vallahi as nuk më qortoi, as nuk më mëshoi e as nuk më fyu, por tha: “Namazi nuk duhet të përmbajë asgjë nga llafet e njerëzve. Ai (namazi) është vetëm tesbih, tekbir dhe lexim kur’ani.”

 

  1. Mos e ngrit shikimin në namaz

– Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i ngritni sytë lartë (gjatë namazit), se mund t’ju verbërohen (si dënim për këtë gjë).”

– Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut një ditë u fal me shokët e tij, e kur përfundoi namazi, u kthye nga xhemati dhe u tha: “Ç’është puna me disa njerëz që i ngritin sytë në qiell (gjatë namazit)? Pastaj tha: O do përmbahen nga shikimi lartë në qiell gjatë namazit, o All-llahu do t’ua marrë shikimin.”

– “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur falej, e mbante kokën ulur dhe shikimin e drejtonte në tokë.”

  1. Mos shiko rreth e rrotull gjatë namazit

– Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut u pyet në lidhje me lëvizjen e kokës (shikimit) në namaz, e ai tha: “Ajo është një rrëmbim i shejtanit nga namazi i robit.”

– Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “All-llahu vazhdon të jetë i kthyer në drejtim të robit gjatë namazit të tij derisa ai nuk shikon rreth e rrotull. E kur ta kthejë kokën anash, atëherë edhe All-llahu e largon shikimin ndaj tij.”

  1. Mos u fal me duar në bel

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar që njeriu të falet me duar në bel.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Ka ndaluar vendosjen e duarve në bel gjatë namazit.”

– Nga Zijad ibën Subejhi na përcillet se ka thënë: “Njëherë u fala pranë Ibën Omerit, dhe dorën time e vendosa në bel, ndërsa ai më mëshoi në dorë. Pasi mbarova namazin, e pyeta një njeri: Kush është ky? Abdullah ibën Omeri, – më tha. I thashë: O Ebu Abdurr-Rrahman: Ç’pate me mua? Ai më tha: Kjo është varje,[4] ndërsa i dërguari i All-llahut na ka ndaluar nga kjo gjë.”

  1. Mos u bëj i pakujdesshëm në namaz

– Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush e fillon namazin, mëshira drejtohet nga ai. Prandaj le të mos i lëvizë apo le të mos i prekë guralecat.”[5]

– Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Jam urdhëruar të mos i tufëzoj flokët dhe të mos i përvjel mëngët e rrobave (në namaz).”

  1. Mos pështyj para vetes në namaz

– Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur ndonjëri prej jush falet, të mos pështyjë para vetes, as në anën e djathtë, por le të pështyjë në anën e majtë ose nën këmbën e tij të majtë.”

– Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur ndonjëri prej jush falet, të mos pështyjë në anën e djathtë, as para vetes, sepse ai i drejtohet Zotit të tij, por le të pështyjë në anën e majtë ose nën këmbën e tij.”

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu dhe Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se kanë thënë: “Njëherë i dërguari i All-llahut pa një këlbazë në drejtim të kibles, kështu që e morri një shkop dhe e gërryu atë, e pastaj tha: “Asnjëri prej jush të mos pështyjë në drejtim të kibles, as në anën e djathtë, por le të pështyjë në anën e majtë ose nën këmbën e tij të majtë.”

  1. Mos u fal me shpatulla të zbuluara

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Mos u falni vetëm me një rrobë në trupin tuaj duke mos pasur asgjë mbi qafë (shpinë).”

  1. Mos u fal në këtë gjendje

– Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush falet vetëm me një rrobë, atëherë le ta shtrëngojë atë për belin e tij, e të mos mbështillet me të siç mbështillen jehudët.”

– Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar nga të mbështjellurit e tërë trupit (duke mos lënë asnjë vrimë hapur).”

 

 

[1] Aludohet në sexhden e shpejtë, d.m.th. është aq e shpejtë saqë i përngjet çukitjeve të korbit me sqepin e tij në tokë për ta marrë ushqimin. (shën. përkth.)

[2] Aludohet në shtrirjen e krahëve përtokë gjatë sexhdes, mu ashtu siç shtrihen egërsirat. (shën. përkth.)

[3] El-Bekare 238.

[4] D.m.th. kjo është një pamje e njeriut që vendoset në trungun e pemës për varje apo gozhdim. (shën. përkth).

[5] Le të mos angazhohet me pastrimin e vendit ku bën sexhde nga guralecat, pluhuri apo diçka e ngjashme me të, ngase kjo ia humbë përqendrimin në namaz. (shën. përkth.)

 

Shkroi: Xhemal Abdul-Mun’im EL-KUMI

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.