Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

DOBITË E MARTESËS

Falënderimi i takon All-llahut, Furnizuesit, Bujarit, Dhuruesit, Mëshiruesit. Është Ai i Cili e di dobësinë e krijesave të Tij dhe vështirësinë që ata të qëndrojnë vetëm. Prandaj për ta krijoi çiftin nga lloji i tyre dhe këtë e bëri prej argumenteve që vërtetojnë Hyjninë e Tij.

Dëshmoj dhe deklaroj se Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është rob dhe i dërguar i Tij. Përshëndetjet qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi të gjithë shokët e tij dhe mbi ata të cilët e pasojnë udhëzimin e tij deri në ditën e kiametit.

Vëllezër dhe motra: Martesa në vete ngërthen dobi të mëdha. Prej tyre po përmendim:

  1. Martesa është zbatim i urdhrit të All-llahut të Madhërishëm dhe urdhrit të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Një rob i cili e zbaton urdhrin e All-llahut të Madhërishëm dhe të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk pendohet dhe nuk zhgënjehet kurrë. Nga ana tjetër, një rob i cili e kundërshton urdhrin e All-llahut të Madhërishëm dhe të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, duke pasur mundësinë për zbatimin e tij, nuk do të jetë i kënaqur kurrë. All-llahu i Madhërishëm thotë: Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë.” (En-Nisa’ 3). Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse martesa të largon më shumë nga shikimi në haram dhe të ruan më tepër nga imoraliteti. E kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje për të.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).
  2. Martesa është pasim u sunnetit të të dërguarve alejhimus-selam, duke e pasur parasysh se sheriatet e tyre janë në pajtueshmëri për sa i përket çështjes së martesës. Largimi nga martesa është largim nga sunneti i tyre, të cilën ata e praktikuan dhe u urdhëruan me të. All-llahu i Madhërishëm thotë: Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë.” (Err-Rra’d 38). Nëse largimi nga martesa bëhet për shkak të asketizmit dhe veçimit për ibadet, atëherë kjo është në kundërshtim me sunnetin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Një herë kur tre persona nga sahabët vendosën të bëjnë jetë asketi dhe të mos martohen, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me ta tha: Vallahi unë jam ai që më së shumti i frikohem All-llahut dhe jam më i devotshmi në mesin tuaj; por unë ndonjëherë agjëroj (jashtë muajit të ramazanit, shën. përkth.); e ndonjëherë jo; e kaloj natën në adhurim dhe ndonjëherë flej dhe jam pre atyre që martohen. Kush nuk është i kënaqur me sunnetin tim, ai nuk është prej radhëve të mia.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Imam Ahmedi, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mosmartesa nuk ka të bëjë asgjë me islamin.” Ai e lavdëronte shumë Bishr ibën Harithin për shkak të asketizmit, devotshmërisë dhe ibadetit të tij, por gjëja për të cilën e qortonte atë ishte mosmartesa e tij, dhe thoshte: “Kush të thërret për mosmartesë, ai të ka thirrur në diçka joislame. Sikur Bishri të martohej, çështja e tij do të plotësohej.” Pra, mosmartesën e tij e konsideronte si mangësi.

  1. Martesa në vete ngërthen ibadete të shumta. Mbrojtja e vetes dhe gruas nga imoraliteti është ibadet, shpenzimi për të është ibadet, lindja e fëmijëve është ibadet, e kështu me radhë. Si është e mundur që robi t’ia ndalojë vetes këto ibadete të shumta, e që të gjtha janë pjesë të martesës. Për sa i përket ibadetit të shpenzimit për bashkëshorten, këtë e shohim në hadithin të cilin na e përcjellë Sa’d ibën Ebi Vekkasi radijAll-llahu anhu, i cili thotë se i dërguari i All-llahut ka thënë: Çdo lëmoshë që e jep me të cilën kërkon kënaqësinë e Allahut, Allahu me të t’i shton shkallët dhe të ngritë, madje edhe për kafshatën që e futë në gojën e bashkëshortes tënde.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Po ashtu marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve konsiderohen ibadet dhe myslimani shpërblehet për të. Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “… edhe marrëdhënia intime e bashkëshortëve është sadeka.” Njerëzit i thanë: “O i dërguari i All-llahut, a edhe kur ndonjëri prej nesh kryen marrëdhënie intime ka shpërblim? Ai tha: “Më thuani, nëse epshin e tij e përdor në haram, a nuk ka për të mëkat? Po ashtu nëse e përdor në hallall do të ketë shpërblim.” (Shënon Muslimi). Ç’mjerim është për ata që kanë mundësi për martesë, por që e kanë lënë atë dhe kanë preferuar imoralitetin! I martuari i plotëson dëshirat e tij te bashkëshortja e vet dhe kështu arrin shpërblimet e All-llahut, ndërsa ai që braktisë martesën, dëshirat e tij i plotëson në haram, dhe kështu i shkruhen mëkatet.

Po ashtu, fatkeqësi e madhe është edhe për një vajzë të cilës i vijnë oferta për fejesë, e ajo i refuzon derisa kur të ndalen ofertat, ajo jeton në mjerim ose bie në haram.

  1. Martesa është prej begative të All-llahut të Madhërishëm për njeriun. Ai që ka braktisur martesën nuk e ka falënderuar All-llahun për këtë begati, duke e pasur parasysh se All-llahu ia ka bërë të mundshme martesën. Në anën tjetër, dikush e dëshiron martesën, por nuk ka mundësi për të, si dhe has në vështirësi të mëdha për të përballuar pamundësinë për martesë. All-llahu i Madhërishëm thotë: All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja – fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e All-llahut i mohojnë?” (En-Nahl 72). Po ashtu thotë: “Ai është krijues i qiejve e i tokës. Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte.” (Esh-Shura 11).
  2. Martesa është shkak për lënien pas vete të trashëgimtarëve apo pasardhësve, si dhe për vazhdimin e përmendjse së tyre pas vdekjes. Kjo, ngase ata që vdesin dhe nuk lënë pas vete pasardhës, me vdekjen e tyre ndërpritet edhe përmendja e tyre, si dhe rrallëkush bën dua për ta, ndryshe nga ata që vdesin dhe pas vete lënë fëmijë, të cilët luten për ta, në raste dhe kohë të ndryshme, gjatë lutjeve të përgjithshme, në kohën kur lutjet pranohen, e kështu me radhë, sepse ai që lutet, zakonisht nuk harron të lutet edhe për prindërit. Prej lutjeve të Nuhut alejhis-selam ishte edhe kjo: “Zoti im, më falë mua dhe prindërit e mi.” (Nuh 28). Ndërsa në një hadith të cilin na e përcjellë Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat përveç tri rasteve: Sadekasë rrjedhëse, diturisë dobiprurëse dhe fëmijës së mirë i cili lutet për të.” (Shënon Muslimi).
  3. Martesa është shkak për shtimin e ummetit të Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Kjo është një gjë që pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka kërkuar prej ummetit të tij. Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut urdhëronte për martesë dhe ndalonte fuqishëm beqarinë, dhe thoshte: “Martohuni me gra që dinë të dashurojnë (burrat e tyre) dhe që lindin. Unë do të mburrem me ju (numrin tuaj) përpara pejgamberëve në ditën e kiametit.” (Shënon Ahmedi).
  4. Martesa është prehje për bashkëshortët. Kjo është prej argumenteve të All-llahut të Madhërishëm, për të cilin na tregon në kur’an ku thotë: Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Err-Rrum 21). Po ashtu thotë: “Ai (All-llahu) është Ai që ju krijoi prej një veteje, e prej saj krijoi palën e saj për t’u qetësuar pranë saj.” (El-E’raf 189). Gjendja e një njeriu që nuk ka ku të gjejë prehje është e njohur për të gjithë. Dihet se qetësia dhe rehatia e zemrës është më e rëndësishme se qetësia dhe rehatia e trupit. Shtëpitë janë prehje e trupave ndërsa martesa është prehje e zemrave dhe shpirtrave.
  5. Martesa është rrugë për të arritur ndihmën e All-llahut të Madhërishëm dhe pasurimin. Kur All-llahu i Madhërishëm e ndihmon robin e Tij, punët i lehtësohen. Sa e sa njerëz të cilët nuk kanë qenë të pasur, All-llahu pas martesës i ka furnizuar dhe i ka pasuruar, dhe kjo për shkak të nijetit të tyre për të ruajtur veten nga imoraliteti dhe për të pasuar sunnetin e të gjithë pejgamberëve. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, All-llahu i begaton nga mirësitë e Tij, All-llahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm.” (En-Nur 32). All-llahu i Madhërishëm ka premtuar pasurim për të martuarin nëse ai martesën e bën me nijet të sinqertë. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Tre njerëzve All-llahu ia ka bërë obligim Vetes së Tij që t’u ndihmojë: Muxhahidit në rrugën e All-llahut, robit që dëshiron të blejë veten nga zotëria i tij dhe kështu të lirohet, dhe atë që me anë të martesës synon mbrojtjen nga haramet.” (Shënon Tirmidhiu).

Ebu Bekri radijAll-llahu anhu thotë: “Bindjuni All-llahut në urdhrin e Tij për martesë, Ai do ta plotësojë premtimin e Tij për pasurimin tuaj.”

Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu thotë: “Kërkojeni pasurimin në martesë.”

Nga kjo që u përmend, çdo i ri që i mëson dobitë e martesës dhe e ka mundësinë për martesë, preferohet që sa më parë të martohet. E nëse nuk ka mundësi martese, atëherë le të mbrojë nderin e tij, dhe le t’i lutet All-llahut sa më shumë që t’ia hapë dyert e furnizimit.

Po ashtu edhe çdo e re, të cilës i vijnë oferta për martesë, nuk duhet refuzuar ato, si dhe nuk duhet dhënë përparësi mësimit, punësimit apo gjërave të ngjashme me to ndaj martesës, duke e pasur parasysh se ofertat nuk janë të pranishme në çdo kohë.

Ndërsa prindërit apo kujdestarët duhet nxituar në martesën e bijve dhe bijave të tyre, ngase martesa është bindje ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe të dërguarit të Tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ia ka frikën All-llahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do ta arrijnë atë që dëshirojnë.” (En-Nur 52).

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

 

Shkroi: Ibrahim ibën Muhammed EL-HUKAJL

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.