Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

DISPOZITA MBI LOJËN E TAVLLËS

Pyetje: Cila është dispozita mbi lojën e tavllës?

Përgjigjja: Falënderimi i takon All-llahut.

Loja e tavllës nuk lejohet për shkak se në vete përfshinë zaret, e që janë rreptësisht të ndaluara, bazuar në hadithin që na përcillet nga Burejdeja radijAll-llahu anhu, i cili thotë se pegamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush luan me zare, është sikur të zhysë dorën në mishin dhe gjakun e derrit.” (Shënon Muslimi 2260).

Ndërsa zaret janë kuba të vegjël prej kocke, prej druri etj., në faqet e të cilëve janë shënuar nga një deri në gjashtë pika, dhe që përdoren në lojëra të ndryshme.

Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, në komentin e tij të Sahih Muslim thotë: “Ky hadith është argument i Shafiiut dhe xhumhurit (shumicës dërrmuese) të dijetarëve për ndalimin e lojës me zare. Ndërsa kuptimi i pjesës së hadithit “… sikur të zhysë dorën në mishin dhe gjakun e derrit.”, d.m.th. gjatë ngrënies së mishit dhe pirjes së gjakut, pra është përngjasim i ndalimit të luajtjes me ndalimin e ngrënies, respektivisht, pirjes së tyre.

Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush luan me zare, i ka bërë mëkat All-llahut dhe të dërguarit të Tij.” (Shënojnë Ebu Davudi 4938, Ibën Maxhe 3762 dhe Ahmedi 19519. Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith hasen. Po ashtu edhe Shuajb El-Arnauti e ka klasifikuar si hadith hasen).

Këto hadithe argumentojnë qartë se loja me zare është haram, dhe këtu bëjnë pjesë të gjitha lojat që përmbajnë zare, e jo vetëm tavlla.

Ibën Kudame, All-llahu e mëshiroftë, në librin e tij El-Mugni (10/171), në kaptinën mbi lojat, thotë: “Çdo lojë e cila përmban bixhoz, është haram, çfarëdo loje që të jetë, dhe bën pjesë në lojëra të fatit, nga të cilat All-llahu i Madhërishëm na ka urdhëruar të largohemi. Ai që luan në mënyrë permanente këto loja, nuk i pranohet dëshmia. Ndërsa ato loja që nuk përfshijnë fat, e që janë lojëra që nuk ngërthejnë kompensim nga dy palët apo nga njëra palë, ka prej tyre që janë haram dhe ka prej tyre që janë të lejuara. Në mesin e atyre që janë haram është e loja e tavllës. Ky është mendimi i Ebu Hanifes dhe shumë dijetarëve të medhhebit shafiij.”

Zejleiu, All-llahu e mëshiroftë, në librin e tij Tebjinul-Hakaik (6/32), ka përmendur ixhmain e dijetarëve që loja e tavllës është haram.

Në “Fetvatë e Komisionit të Përhershëm” (15/210), thuhet: “Loja e tavllës nuk lejohet edhe nëse është pa kompensim, e sidomos nëse ndikon në largimin e njeriut nga namazi në kohën e tij. Pra, obligim është lënia e asaj loje, ngase është prej dëfrimit të ndaluar.”

Kjo është dispozita e lojës së tavllës në përgjithësi, e aq më tepër nëse asaj i bashkëngjitet basti, betimi i rrejshëm, largimi nga namazi etj. Në këto raste ndalimi është edhe më i rreptë.

Shejh Muhammed Salih El-Munexh-xhid

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.