Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Anemia, vlerësimi dhe trajtimi i saj në vendin tonë

Anemia është sëmundja më e shpeshtë hematologjike. Tradicionalisht vlera klinike e anemisë është nënvlerësuar (nuk ka dhimbje, por lodhjen si simptomin kryesor që nuk është shumë specifike dhe e mprehtë si dhimbja). Në praktikën tonë mjekësore anemia keqvlerësohet, keqdiagnostikohet, keqmjekohet. Zbulimi i shkakut të anemisë, është më i rëndësishëm se dhe vetë mjekimi i anemisë (shkaku i anemisë mund të jetë një sëmundje malinje). Po kështu mostrajtimi i anemisë ka pasoja në kostot e kujdesit shëndetësor dhe ulje të produktivitetit në punë. Pra, anemia duhet vlerësuar dhe trajtuar siç duhet nga mjekët, nëse nuk munden dërgoje tek hematologu.

Cilat janë problemet më të shpeshta që hasim në vlerësimin dhe trajtimin e anemisë në vëndin tonë ?

1) Ka gjithmonë konfuzion se ç’farë do të quajmë anemi. Disa mjekë e vlerësojnë duke u nisur nga vlera e eritrociteve, disa nga hematokriti, shume pak nga vlera e hemoglobinës, që siç e shpjeguam më sipër është kriteri bazë i vlerësimit. Popullata të ndryshme kanë diapazon të ndryshmë të vlerave normale të serisë së kuqe dhe përderisa në vëndin tonë nuk i kemi këto vlera, të pranojmë vlerat e referuara nga OBSH, se të mbështetemi në kritere të ndryshme (sipas laboratoreve, aparateve, traktateve hematologjike).

2) Anemia më e shpeshtë në praktikë është “Anemia Defiçitare”. Këtu futen Anemia nga Defiçiti i Hekurit (Anemia Ferriprive), Anemia nga Defiçiti i Vitaminave (Vitamina B12 dhe Acidit Folik = Anemia Megaloblastike). Këto janë dhe anemitë më të keqvlerësuara dhe të keqtrajtuara. Anemitë defiçitare janë pasoja të defiçiteve përkatëse (në disa raste mund të jenë dhe të kombinuara). Defiçiti i hekurit (më i shpeshti në praktikë, sidomos për gjininë femërore) mund të vlerësohet me anë të Ferritinemisë dhe është më e përhapur (baza e ajsbergut) se anemia nga defiçiti i hekurit (maja e ajsbergut) që është pasoja e tij. Për anemitë nga defiçiti i vitaminave nuk kemi një markues si Ferritinemia, por parimi i tyre është i njëtë si për Aneminë Ferriprive. Zbrazen depot përkatëse (ose të kombinuara) dhe për pasojë shfaqet Anemia Megaloblastike. Mjeku nuk ka nevojë të gjejë shkakun e anemisë (është defiçiti), por të shkakut të defiçitit. Dhe këtu është gabimi më i madh praktik. Personeli mjekësor dhe vetë populli mendon se është kequshqyerja. Një organizëm i shëndoshë ka 8 vjet rezerva të hekurit, 2-4 vjet të vitaminës B12 dhe 2 muaj për Acidin Folik. Kjo do të thotë se nëse konsumohen normalisht për nevojat përkatëse, duhet të mos marrim për 8 vjet hekur, 2-4 vjet vitamin B12 dhe 2 muaj Acid Folik që të zbrazen depot dhe për pasojë të shfaqet dhe anemia përkatëse. Hekuri dhe acidi folik ndodhen në produktet bimore dhe shtazore, Vitamina B12 vetëm në ushqimet shtazore (dhe një sasi vetë sintetizohet nga organizmi). Pothuajse nuk ekziston në praktikë si faktor i zbrazjes së depove përkatëse mosmarrja në ushqime e hekurit dhe e vitaminave. Më tepër është një shkak ndihmës për shkaqet e tjera të zbrasjes së depove që janë këto sipas rëndësisë: humbja e hekurit (hemoragjia e vogël e përsëritur ku futet dhe dhurimi i përsëritur i gjakut), mbikonsumimi, mosthithja, mosmarrja në ushqime për Defiçitin e hekurit (hipoferritinemia) dhe mbikonsumi (proliferim malinj/beninj qelizor), mosthithje, mosmarrje e vitaminave për Defiçitin e Vitaminës/Vitaminave B12 dhe Acid Folik (B9). Dhe gabimi tjetër praktik “anemia mjekohet me ushqime”. NUK KA ASNJË ANEMI QË KORRIGJOHET ME USHQIME. Maksimumi i hekurit ditor që mund të arrijë njeriu të marri një njeri në maksimumin e ushqyerjes së tij është 10-14 mg. Doza ditore terapeutike e hekurit është 200 mg hekur elementar në ditë për adultët, sasi që gjendet në 4.5 kg mish të kuq dhe kjo për të paktën 3 muaj rresht (1-1.5 muaj për korrigjimin e anemisë dhe 1.5 muaj plus për korrigjimin e depove përkatëse). Përdorimi i shpretkës, verës së kuqe, spinaqit etj është një budallallëk i vertet të cilin nuk po arrijmë ta heqim. Mjekët të mësohen të kërkojnë Ferritineminë, ideale ishte të kishim dhe një markues të tillë dhe për vitaminat.

3) Të luftohet për tu gjetur dhe nëse është e mundur të eleminohet jo shkaku i anemisë (ai dihet që është defiçiti përkatës), por shkaku i defiçitit/defiçiteve (në rastin e kombinuar) ku në bazë të tyre mund të jenë dhe sëmundje malinje. Pra mjekët të mos mjaftohen thjesht me faktin e mjekimit të anemisë, por të korrigjimit të saj të plotë, të korrigjimit të depove (në vëndin tonë pasi korrigjohet anemia mjekët dhe vetë njerëzit e ndërpresin mjekimin) dhe të eleminimit ose të paktën të kompensimit të shkakut të deiçitit/defiçiteve. Në rast se këto realizohen patologjia hematologjike shërohet dhe nuk ka shumë sëmundje që shërohen. Pjesa më e madhe e tyre mjekohen. Me mënyrën si i vlerësojnë dhe i mjekojnë Anemitë Defiçitare në Shqipëri mjekët tentojnë ta mjekojnë, por asnjëherë ta shërojnë. Në rast se shkaku/shkaqet e deiçitit/defiçiteve nuk eleminohen ose të paktën të kompensohen, Anemitë Defiçitare mund të korrigjohen plotësisht, por defiçiti me ose pa anemia do të përsëriten (në varësi të madhësisë së shkakut. Dhe për këtë nuk e ka më fajin hematologu, as preparati, por fakti që nuk është eleminuar ose korrigjuar shkaku/shkaqet dhe kjo kërkon bashkëpunimin me specialitete të tjera (gjinekologu, gastrologun, urologun).

4) Abuzohet me fjalën “mjekohem me hekur” dhe me përdorimin kotë të Vitaminës B12 (“për të rritur fuqinë” 5-10 ditë Vitamina B12 I/M. Mjekimi duhet bërë me dozën optimale mjekuese ditore për kohën e caktuar deri në korrigjimin e plotë të anemisë (Hb≥ 12 gr/dl tek femrat dhe ≥13 gr/dl tek meshkujt (jo përmirësim i saj siç ndodh në praktikën tonë mjekësore) dhe pasi korrigjohet anemia do të vazhdohet mejkimi deri në korrigjimin e depove dhe vetëm atëherë detyra është bërë siç duhet.

5) Anemia e lehtë, e mesme, e thellë njësoj vlerësohen dhe mjekohen. Po ky vlerësim dhe mjekim ka vlerë dhe kur zbulojmë fazën e defiçitit, pa u instaluar akoma anemia. Anemitë e lehta dërgojini tek specialisti ti vlerësojë dhe mjekojë. Një pjesë e rëndësishme e anemive të lehta në vëndin tonë janë të lindura (Talasemia Minor) që sigurisht në shumcën e rastve nuk vlerësohet siç duhet.

Comments are closed.