Suret dhe ajetet për të cilat pëlqehet të lexohen më shumë se një herë brenda ditës

Me Emrin e Allahut, Mëshiruesit të përgjithshëm, Mëshiruesit me mëshirë të veçantë për besimtarët muslimanë!

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në shkrimin e kaluar kemi folur rreth sureve dhe ajeteve të cilat pëlqehen të lexohen një herë brenda ditës siç janë suret: Sexhde, Mulk, Isra, Zumer, Hadid, Hashr, Saf, Xhumuah, Tegabun dhe E’ëla. Gjithashtu edhe ajetet 136, 285, 286 të sures Bekare dhe ajetet 52,64 të sures Ali Imran.

Pastaj kemi filluar të flasim rreth sureve dhe ajeteve të cilat pëlqehet të lexohen më shumë se një herë brenda ditës, ku kemi folur për suren Kafirun si dhe për rastet na ka cilat nxitur Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që ta lexojmë atë.

Kurse tani do të flasim për suret Ihlas, Felek dhe Nas, si dhe për ajetin Kursij, poashtu për dhe për rastet na ka cilat nxitur Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që ta lexojmë ato.

  • Suret dhe ajetet për të cilat pëlqehet të lexohen më shumë se një herë brenda ditës

1) Surja Kafirun

2) Surja Felek dhe surja Nas

Surja Felek dhe surja Nas janë nga suret të cilat i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i lexonte shumë brenda ditës dhe natës, saqë gati se hyn në garë me suren Fatiha në përsëritje, e cila lexohet së paku 17 herë gjatë ditës dhe natës, nëse njeriu i falë vetëm farzet.

Përsa i përket vlerës së këtyre dy sureve na transmeton Ukbe ibn Amiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Sikur t’i shihje disa ajete të cilat më janë zbritur mbrëmë, s’janë parë ndonjëherë të tilla: Surja Felek dhe surja Nas. Muslimi (814).

Përsa i përket rasteve se kur preferohet të lexohen këta dy sure, ai i cili e pason sunetin e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, do ta gjejë veten e tij duke i përsëritur këta dy sure së paky 12 herë brena një dite të vetme. Për këtë keta dy sure llogariten nga suret që përsëriten më së shumti pas sures Fatiha. Rastet më të rëndësishme ku lexohen këta dy sure janë:

E para: Pas çdo namazi

Transmeton Ukbe ibn Amiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: Më ka urdhëruar i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që t’i lexoj suret Felek dhe Nas pas çdo namazi. Tirmidhiu (2903); Shejh Albani në Sahih et-Tirmidhi e cilësoi hasen (2324).

E dyta: Në dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes

Transmeton Abdullah ibn Hubejb, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: Në një natë me shi dhe shumë të errët dolëm për ta kërkuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që të na e falte namazin. Pasi që e gjeta më tha: ‘Thuaj’, mirëpo unë nuk thashë asgjë. Përsëri më tha: ‘Thuaj’, mirëpo prapë nuk thashë asgjë. Herën e tretë kur më tha: ‘Thuaj’, e unë i thashë: ‘Çfarë të them?’ Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha: Thuaji suren Ihlas (KulhuvAllahin), suren Felek dhe suren Nas në mëngjes dhe në mbrëmje nga tri herë, të mjaftojnë për çdo gjë. Tirmidhiu (3575); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi hasen-sahih (649).

E treta: Në namazin e vitrit

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, herë pas here i lexote këto dy sure në namazin e vitrit. Transmeton Abdulaziz ibn Xhurejxh, Allahu e mëshiroftë, duke thënë: E kemi pyetur Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të, se çka lexonte nga Kur’ani pas sures Fatiha i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në namazin e vitrit? Ajo tha: Në rekatin e parë suren E’ëla, në rekatin e dytë suren Kafirun dhe në rekatin e tretë suren Ihlas, suren Felek dhe suren Nas. Tirmidhiu (463); Shejh Albani në Sahih et-Tirmidhi e cilësoi sahih (384).

E katërta: Para gjumit

Transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, çdo natë kur para se të shtrihej për të fjetur, i bënte bashkë dy duart, pështyente nga pak duart dhe lexonte: Suren Ihlas, suren Felek dhe suren Nas. E më pas fërkonte me dy duart aq sa mundte nga trupi i tij, duke filluar nga koka, fytyra dhe në pjesën e përparme të trupi. Këtë e vepronte tri herë. Buhariu (5017).

E pesta: Gjatë sëmundjes

Transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, sa herë që sëmurej, lexonte suret Felek dhe Nas, pastaj fryente në trupin e tij, ndërsa kur i përkeqësohej sëmundja, atëherë unë i lexoja dhe i fërkoja me dorën e tij, duke shpresuar në bereqetin e tij. Buhariu (5016).

Gjithashtu transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se kur sëmurej ndokush nga familja e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i lexoheshin suret Felek dhe Nas dhe fryhej mbi të. Muslimi (2192)

E gjashta: Për shërim nga mësyshi dhe zilia si dhe mbrojtja nga to

Suret Felek dhe Nas llogariten suret e vetme me të cilat njeriu mund të mbrohet nga mësyshi dhe zilia. Transmeton Ebu Seid el-Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka lexuar lloje të ndryshme duash derisa u shpallën suret Felek dhe Nas. Pasi u shpallën ato, ai i la të gjitha të tjerat, dhe i ka lexuar ato. Nesaiu (5494); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi sahih (4902).

 

3) Surja Ihlas (Kulhuvallahi)

Surja Ihlas është nga suret më madhështore, ajo e ka vlerën sa 1/3 e Kur’anit. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Mblidhuni, ngase unë do t’ua lexoj një të tretën e Kuranit. Kështu, u mblodh kush u mblodh, pastaj i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, doli dhe e lexoi suren Ihlas, e pastaj hyri brenda. Atëherë, ne i thamë njëri-tjetrit: Unë mendoj se ky ishte lajm që i erdhi nga qielli, andaj për këtë hyri brenda. Pas pak i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, doli dhe tha: Unë ju thashë se do t’jua lexoj një të tretën e Kuranit, pra kjo sure është sa një e treta e Kuranit. Muslimi (812).

Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e lexonte atë në shumë raste qoftë, brenda namazit apo jashtë tij. Përsa i përket brenda namazit atë e lexonte në sunetin e sabahut, në sunetin e akshamit, në namazin e vitrit dhe në dy rekatet e tavafit. Kurse përsa i përket jashtë namazit atë e lexonte para gjumit dhe në dhikrin e mëngjesit e të mbrëmjes. Argumentet për to i kemi përmendur më herët tek suret Kafirun, Felek dhe Nas.

Dashuria ndaj kësaj sureje bëhet shkak për dashurinë e Allahut dhe për hyrjen Xhenet. Transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: Njëherë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dërgoi një burrë në një ekspeditë. Sa herë që ai ua falte namazin shokëve të vet, në çdo rekat leximin e mbaronte me suren Ihlas. Kur u kthyen, ata ia përmendën të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, këtë gjë, e ai tha: Pyeteni atë përse vepron kështu? Pasi e pyetën, ai tha: Sepse përmban cilësitë e të Gjithëmëshirshmit (Allahut), gjë që ma bën të dashur leximin e saj. Atëherë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: Lajmërojeni se Allahu e do atë. Muslimi (813).

Transmeton Enes ibn Maliki, Allahu qoftë i kënaqur me të, se një njeri tha: O i Dërguari i Allahut! Unë e dua suren Ihlas, ndërsa i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i tha: Dashuria jote ndaj saj do të të fusë në Xhenet. Ahmedi (141/3); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi sahih (1484).

Trasmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e dëgjoi një njeri duke e lexuar suren Ihlas, pastsaj tha: E meritoi! Dikush tha: O i Dërguari i Allahut! Çfarë meritoi? Ai tha: Xhenetin. Ahmedi (261/2); Shejh Albani në Sahih Et-Tergib Ue Et-Terhib e cilësoi sahih (1478).

Ai i cili e lexon këtë sure 10 herë, Allahu ia ndërton një shtëpi në Xhenet. Transmeton Muadh ibn Enes, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: Ai i cili e lexon suren Ihlas 10 herë, Allahu ia ndërton një shtëpi në xhenet. Tabarani (397); Shejh Albani në Sahih El-Xhami’ e cilësoi sahih (6472).

4) Ajeti Kursij

Ajeti Kursij konsiderohet ajeti më madhështor në Librin e Allahut të Lartëmadhëruar. Transmeton Ubej ibn Kabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka thënë: O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh (më me vlerë) në Librin e Allahut, që e ke me vete? Unë iu përgjigja: Allahu dhe i Dërguari i Tij, e dinë më së miri. Ai sërish më pyeti: O Ebu Mundhir, a e di se cili është ajeti më i madh në Librin e Allahut, që e ke me vete? I thashë: Është ajeti: Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! (Bekare, 255). Atëherë Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, me goditi në gjoks dhe më tha: Për Allah!, e gëzofsh dijen, o Ebu Mundhir! Muslimi (810).

Ai i cili e lexon ajetin Kursij para se te flejë, është i mbrojtur nga shejtani deri në mëngjes. Argument për këtë është hadithi i gjatë të cilin e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të. Kuptimi i këtij hadithi është se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e kishte lënë Ebu Hurejrën që ta ruajë sadakanë e fitrit të Ramazanit, dhe për tri netë me rradhë i erdhi dikush, i cili merrte fshehurazi pjesë nga sadakaja e fitrit. Çdo herë që hynte për të marrur vjedhësi, Ebu Hurejra e kapte në vepër dhe donte ta çonte tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për ta gjykuar, por duke iu ankuar për nevojat e tij dhe të familjes së tij, Ebu Hurejra e linte të lirë. Në herën e tretë Ebu Hurejra e mori më seriozisht dhe donte ta çonte tek i Dërguari i Allahut me çdo kusht. Vjedhësi i tha se do t’i mësonte diçka me vlerë, nëse e lë të lirë. Pasi pranoi Ebu Hurejra, ai i tha: Sa herë që të biesh të flesh këndo ajetin Kursij deri në fund. Nëse e bën këtë gjë, Allahu do të të caktojë një roje i cili do të rrijë me ty dhe shejtani nuk do të të afrohet deri në agim. Ebu Hurejra kur e takoi Pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i tregoi për ndodhinë, kurse Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i tha: Ai padyshim që të ka thënë të vërtetën, edhe pse është gënjeshtar i madh. Pas kësaj Pejgamberi i tregoi se vjedhësi në fjalë ishte shejtani. Buhariu (2311).

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

www.thirrjaislame.com