Home / Tema Islame / DHJETË VENDE KU NAMAZI NUK LEJOHET

DHJETË VENDE KU NAMAZI NUK LEJOHET

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Në vazhdim do të përmendim vendet ku namazi nuk lejohet:

  1. Varrezat

Varreza konsiderohet një vend ku është varrosur të paktën një njeri.

Ja disa hadithe që flasin në lidhje me këtë temë:

Nga Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “E tërë toka është mesxhid (xhami, vend faljeje) përveç varrezave dhe banjës.” (Shënojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe).

Nga Aisheja radijAll-llahu anha dhe Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “All-llahu i ka mallkuar hebrenjtë dhe të krishterët; ata i shndërruan varrezat e pejgamberëve të tyre në vend faljeje.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Prej njerëzve më të këqinj janë ata të cilët e përjetojnë kiametin dhe ata që varrezat i shndërrojnë në xhami (vende për namaz).” (Shënon Ahmedi).

  1. Xhamitë e ndërtuara mbi varreza

Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se Ummu Habibeja radijAll-llahu anha dhe Umme Seleme radijAll-llahu anha kishin përmendur një kishë të cilën e kishin parë sa kishin qëndruar në Abisini (Etiopi), në të cilën kishte pasur piktura (ikona). Këtë gjë ia treguam pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa ai tha: “Kur ndonjë njeri i mirë prej tyre vdes, ata (të krishterët) mbi varrin e tij ndërtojnë xhami (faltore) dhe në të vizatojnë ato piktura. Ata janë njerëzit më të këqinj tek All-llahu në ditën e kiametit.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi).

Nga Xhundub ibën Abdullah El-Bexheliu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pesë ditë para se të ndërronte jetë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e kam dëgjuar duke thënë: “Unë distancohem nga ajo që të marr dikë prej jush për mik, ngase All-llahu mua më ka marrë për mik ashtu siç e morri Ibrahimin për mik. Sikur të merrja dikë prej ummetit tim për mik, do ma merrja Ebu Bekrin. Ata që ishin para jush i shndërruan varret e pejgamberëve të tyre dhe njerëzve të mirë nga mesi i tyre në xhami (faltore). Pra, kujdes, mos i shndërroni varrezat në xhami (vend faljeje). Unë ju ndaloj nga kjo gjë.” (Shënon Muslimi).

  1. Torishtat e deveve

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur vjen koha e namazit dhe ju nuk gjeni vend tjetër veç torishtave të deleve dhe torishtave të deveve, faluni në torishtat e deleve e mos u falni në torishtat e deveve.” Ndërsa arsyen për ndalimin e faljes në torishtat e deveve e gjejmë në hadithin tjetër ku thuhet: “… sepse ato (devetë) janë krijuar prej shejtanëve. A nuk i shihni sytë dhe reaksionin e tyre kur hidhërohen.” (Shënon Darimiu). Ndërsa në një hadith tjetër pegamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Faluni në torishtat e deleve, e mos u falni në torishtat e deveve.” (Shënon Tirmidhiu).

  1. Banja (tualeti)

Kjo, bazuar në hadithin që përmendëm më parë: “E tërë toka është mesxhid (xhami, vend faljeje) përveç varrezave dhe banjës.” (Shënojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe). Dispozita e faljes së namazit në banjë është haram, bazuar në qartësinë e hadithit të sipërpërmendur. Ky është mendimi i Ahmedit dhe Ibën Hazmit, të cilët madje thonë se namazi i falur në banjë është i pavlefshëm (batil).

Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje me urtësinë e ndalimit të namazit në banjë, kështu që disa kanë thënë se arsyeja është prania e ndyrësirave në të, e disa të tjerë kanë thënë se banja është vendstrehim i shejtanëve. Neveviu thotë: Mendimi i fundit është më i saktë. All-llahu e di më së miri.

  1. Çdo vend ku shejtanët gjejnë strehim, si vendet e prishura, vendet e fëlliqura, kishat, sinagogat etj.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Gjatë një udhëtimi me të dërguarin e All-llahut, në mbrëmje u shtrimë për të pushuar, dhe nuk u zgjuam nga gjumi vetëm se kur dielli kishte lindur më. Atëherë i dërguari i All-llahut na tha: “Secili le të marrë kafshën e vet dhe të largohemi prej këtu ngase ky është një vend ku shejtani ka prezentuar.”, dhe nuk u fal në atë vend. Kështu edhe vepruam. Pastaj kërkoi pak ujë, morri abdest, i fali dy reqate, e pastaj u thirr ikameti dhe e falëm namazin e sabahut.” (Shënojnë Muslimi dhe Bejhekiu).

Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, në librin e tij El-Mexhmu’ thotë: “Namazi në vendet ku rrinë shejtanët është e urryer sipas mendimit unanim të të gjithë dijetarëve. Ato vende janë sikur vendet e verës, alkoolit dhe vendeve të ngjashme me to, si dhe kishat dhe sinagogat.

Ndërsa në librin e tij El-Ihtijarat thotë: “Mendimi të cilin e përkrahin të gjithë dijetarët është se hyrja në kishat e vizatuara me ikona është e urryer, e namazi në to dhe në vende ku ka fotografi është akoma më e urryer. Ky është mendimi më i saktë në të cilin nuk ka dyshim.”

  1. Toka e uzurpuar

Qëndrimi në tokën e uzurpuar është i ndaluar edhe jashtë namazit, e të mos flasim brenda namazit. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni në to derisa t’u jepet leje.” (En-Nur 27-28).

Prandaj, namazi në tokën e uzurpuar është haram sipas mendimit të të gjithë dijetarëve, siç thotë Neveviu, All-llahu e mëshiroftë. Ndërsa për sa i përket vlefshmërisë së namazit në ato vende, mendimet e dijetarëve ndryshojnë. Kështu, shumica dërrmuese e dijetarëve (xhumhuri) janë të mendimit se namazi në tokën e uzurpuar është i vlefshëm, ndërsa Ahmedi dhe Ibën Hazmi në librat etij El-Muhal-la dhe El-Ehkam Fi Usulil-Ehkam thotë se namazi në tokën e uzurpuar është i pavlefshëm. Por mendimi më i saktë është ai i xhumhurit, ngase ndalesa në tokën e uzurpuar nuk ka të bëjë secifikisht me namazin, kështu që nuk ndikon në vlefshmërinë e tij. All-llahu e di më së miri.

  1. Xhamia ‘Dirar’, në afërsi të Xhamisë ‘Kuba’, si dhe çdo xhami që ndërtohet me qëllim të keq dhe për përçarje mes myslimanëve

Bazë për këtë e kemi fjalën e All-llahut të Madhërishëm: (Nga hipokritët më të shëmtuarit janë) Edhe ata që ndërtuan xhami sherri, mosbesimi e përçarjeje mes besimtarëve dhe ftuan në pritje (solemne) atë që më parë kishte luftuar kundër All-llahut dhe të dërguarit të Tij. Ata do të betohen: “Ne nuk kemi pasur tjetër qëllim, vetëm për të mirë!” Po All-llahu dëshmoi se ata vërtet janë rrenacakë. Ti mos u fal aty kurrë! Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj All-llahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit.” (Et-Tevbe 107-108)

Në këtë ajet ka argument se namazi në xhaminë ‘Dirar’, si dhe në xhamitë e tjera që kanë të njëjtin status, nuk lejohet. Ky është mendimi i malikijve dhe disa medhhebeve të tjera. Ndërsa Ibën Hazmi në librin e tij El-Muhal-la, në komentin e ajetit: “Ti mos u fal aty kurrë!”, thotë: “Nga kjo shihet qartë se ky nuk është vend ku falet namaz.”

  1. Vendet e ndëshkimeve, duke e pasur parasysh se në ato vende në esencë nuk lejohet hyrja përveçse me qarje dhe frikë nga All-llahu i Madhërishëm

Bazë për këtë e kemi hadithin që na e përcjellë Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma, i cili thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, kur kaloi pranë Hixhrit, tha: “Mos hyni në vendet e këtij populli i cili u dënua (nga All-llahu) përveçse duke qarë. E nëse nuk qani, atëherë mos hyni në to, ngase unë kam frikë se do t’ju gjejë ajo që i gjeti ata.” Pastaj e mbuloi kokën me pallton e tij derisa ishte ulur mbi deve, dhe shpejtoi në ecje derisa e kaloi luginën.” (Shënojnë Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi).

Ndërsa në një transmetim tjetër të Buhariut qëndron: “Gjatë luftës së Tebukut, i dërguari i All-llahut kur kaloi pranë Hixhrit, i urdhëroi sahabët të mos pinë ujë nga puset e tij e as të mos mbushin ujë për të pirë gjatë udhëtimit. Sahabët thanë: Ne kemi nxënë brumë me këtë ujë dhe kemi mbushur ujë për pije. Atëherë i urdhëroi ta hedhin atë brumë dhe ta derdhin atë ujë.” (Shënon Buhariu).

  1. Vendi i lartë në të cilin qëndron imami, e që është më i lartë se vendi ku falet xhemati

Nga Ebu Mes’ud El-Bedriu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar që imami në ngjitet mbi diçka, ndërsa njerëzit (xhemati) të jenë më poshtë se ai.” (Shënon Darekutniu).

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Një herë Hudhejfeja u priu njerëzve në namaz në Medain, dhe hipi mbi një tryezë. Me këtë rast Ebu Mes’udi e tërhoqi për pallton e tij, ndërsa ai u kthye mbrapa. E kur namazi mbaroi, Ebu Mes’udi i tha: A nuk e ke ditur se i dërguari i All-llahut e ka ndaluar që imami të ngjitet lartë ndërsa xhemati të jenë më poshtë se ai? Hudhejfeja i tha: A nuk e pe se iu përgjigja kërkesës tënde kur më tërhoqe për pallto?” (Shënon Hakimi).

Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Kur njeriu u prin xhematit në namaz, të mos ngjitet në një vend më të lartë sesa ai i tyre.”

Dijetarët thonë: “Përjashtim nga kjo bën nëse imami ngjitet më lartë me qëllim që t’ua mësojë xhematit namazin dhe rregullat e tij.”

  1. Vendi mes dy shtyllave ku xhemati bën saf për namaz

Nga Abdul-Hamid ibën Mahmudi na përcillet se ka thënë: “Njëherë u falëm mbrapa njërit prej udhëheqësve myslimanë, kështu që xhemati na ngushtuan dhe ne u falëm mes dy shtyllave në saf, ndërsa Enesi radijAll-llahu anhu u kthye në safin mbrapa. Kur e mbaruam namazin, Enesi tha: Në kohën e të dërguarit të All-llahut, i largoheshim kësaj gjëje.” (Shënojnë Ebu Davudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Hakimi dhe Ahmedi).

 

Shkëputur nga libri Eth-Themerul-Mustetab

Autor: Muhammed Nasiruddin ALBANI

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

About Fatmir Idrizi