Home / Hadithe / Rijadus Salihin / HADITHI nr.502 – nga Libri Rijadus Salihin

HADITHI nr.502 – nga Libri Rijadus Salihin

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. doli një ditë, a një natë, kur edhe Ebu Bekri dhe Umeri r.a. kishin dalë. Atëherë (Pejgamberi) tha: “Ç’ju ka shtyrë të dilni nga shtëpitë tuaja në këtë kohë?” Thanë: “Uria, o i Dërguari i All-llahut!” Tha: “Edhe mua, pasha atë në dorë të të Cilit është shpirti im, më ka nxjerrë (prej shtëpisë) ajo që ju ka nxjerrë juve. Çohuni!” Pastaj u ngritën me të dhe erdhën te një njeri prej ensarëve, mirëpo ai nuk ishte në shtëpi. Kur e pa (Pejgamberin) gruaja (e atij njeriu), tha: “Mirësevini, urdhëroni!” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i tha: “Ku është filani (për të zotin e shtëpisë)?” Tha: “Ka shkuar të na kërkojë ujë për pije.” Në atë çast erdhi ensariu, shikoi të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. dhe dy shokët e tij, pastaj tha: “Falënderimi i qoftë All-llahut, sot askush nuk ka mysafirë më të ndershëm se unë!” Pastaj shkoi. Më pas erdhi me një kalavesh hurme në të cilën kishte hurma të njoma, të thata dhe të lëngëta (por të pjekura) dhe ju tha: “Urdhëroni, hani! Pastaj e mori briskun, kurse i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i tha: “Kujdes, mos e merr (mos e prej) atë që milet dhe jep qumësht!” Pastaj (ensariu) preu mish deleje nga i cili hëngrën, edhe nga kalaveshi me hurma të llojllojshme dhe pinë ujë.
Pasi hëngrën dhe pinë, i Dërguari i i All-llahut s.a.v.s. i tha Ebu Bekrit dhe Umerit r.a.: “Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, në Ditën e Gjykimit do të pyeteni për këtë begati. Nga shtëpia ju ka nxjerrë uria, pastaj nuk jeni kthyer derisa ju ka arritur kjo begati.”

(Transmeton Muslimi) (Pyetja në Ditën e Gjykimit ka të bëjë me llojet e begative, e jo si qortim. All-llahu e di më së miri. Në transmetimin e Tirmidhiut theksohet se ky ensarij quhej Ebu-l-Hejthem etTejhani).

About Thirrja