Home / Tema Islame / MBULESA QË KA NEVOJË PËR MBULESË!

MBULESA QË KA NEVOJË PËR MBULESË!

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, familjen dhe shokët e tij.

Nuk e di se ç’ndodh me mendjen e disa grave myslimane sot?! Pothuaj nuk gjen as një në mesin e dhjetë grave e cila ka shpëtuar nga sëmundja e mbulesave të zbukuruara. E sa sëmundje e pashërueshme, e rrezikshme dhe ngjitëse që është kjo gjë, e cila i ka kapluar shumë prej grave të sotme, e sidomos ato të cilat nuk kanë imunitet të dijes dhe dinjitetit. Kjo është një sëmundje e rrezikshme e cila e shkundë fushiqëm mbulesën e shëndoshë, si dhe ia ngritë shkallën e temperaturës njeriut i cili i shikon ato gra. Disave ua ngritë shkallën e temperaturës nga zemërimi për paditurinë sheriatike të atyre grave në lidhje me mbulesën, e disave nga gëzimi për dukjen e saj që e shohin.

A e di, oj myslimane, rrezikun e paditurisë tënde ndaj mbulesës sheriatike? Si duhet të jetë ajo? Cilat janë kushtet e saj? A nuk ke menduar ndonjëherë se këtë mantel të cilin ti e veshë, kush është ai që e ka obliguar? Përse e ka bërë obligim (farz)? Dhe si duhet të jetë? Mendoj se nuk je xhahile, ngase e shoh se ti ke një post të caktuar: udhëheqëse, drejtoreshë, mësuese, menaxhere, mjeke, infermiere, studente, etj. Prandaj, po të pyes: Ç’të mashtroi, oj myslimane? A deri në këtë shkallë manipulojnë me ty njerëzit e pasioneve dhe epshit, dhe pronarët e dyqaneve, kështu që joshesh pas çdo mode destruktive?! Vallahi, çuditërisht, shohim ndonjë prej myslimaneve të sotshme, kur marrin në dorë ndonjë mantel mbrëmjeje, të qendisur, vezullues, me rruaza dhe i ngushtë me korse, i hapur nga mbrapa apo nga anash, i zbukuruar nga para dhe mbrapa prej lartë e deri poshtë, i zbukuruar me dantellë, dhe gjëra të ngjashme me këto, e veshë para teje, dhe del një myslimane tjetër dhe thotë: Ky është mantel! Apo thotë: Ky është hixhab (mbulesë)!!

Assesi dhe assesi!!! Ky mantel që në realitet është vetëm një fustan, ka nevojë për një mantel tjetër sipër tij për ta mbuluar atë… për t’i fshehur zbukurimet e tij… për t’ia humbur shkëlqimin… Madje, fatkeqësisht duhet thënë, për t’ia mbuluar vrimat, nëpërmjet të cilave dallohet ngjyra e bluzës apo fustanit nën të. Ky, vallahi, nuk është hixhab, e as mantel mbulues, por është vetëm një fustan, i cili ka nevojë për një mbulesë.

Mendo pak, oj motër myslimane, se si kanë qenë hapat e shejtanit në luftimin e mbulesës, me të cilën All-llahu na ka nderuar. Mendoj që ti nuk je aq naive sa të mos e kuptosh se ai mantel për të cilin fola më parë dhe të cilin edhe ti vetë e ke parë, është një mënyrë për ta luftuar mbulesën e shëndoshë dhe të vërtetë, dhe është një mënyrë, e cila me ose pa dashje, bëhet për zhdukjen e mbulesës së vërtetë dhe zhvleftësimin e pozitës së saj në shpirtin e gruas myslimane. Kjo mënyrë e tyre nuk ka qenë edhe aq e mençur, por që ka pasur efektin e saj te gratë e pakujdesshme të cilat nuk e kuptojnë ç’domethënie ka manteli dhe ç’domethënie ka mbulesa (hixhabi). D.m.th., ka pasur efekt tek ato gra të cilat mbulesën e konsiderojnë si traditë, e jo si ibadet.

Në fillim fare, ata kishin për qëllim reforma në dukjen e mantelit dhe mënyrën e veshjes së tij, kështu që fillimisht ata nuk patën mundësi t’i ikin mantelit të zi e të gjatë, që nuk tërheq vëmendje dhe që është tejet tradicional. Por, më pas ata vazhduan hap pas hapi duke e shkurtuar dhe duke e bërë me materiale më të holla. Por kur e panë se manteli i shkurtër nuk pati aq sukses dhe i gjati kërkohej më shumë, atëherë e bënë të gjatë por me një vijë nga mbrapa, e më pas shkuan duke i shtuar vijat dhe kaluan në materialin e mëndafshit. Kur panë se nuk ka zëra kundërshtues, dhe se shumë prej grave e pëlqejnë dhe veshin këtë lloj manteli, atëherë u hap dera e haramit dhe ai që më parë e ulte shikimin, filloi të shikojë në haram, dhe kështu u përhap rrjedha e belave dhe sprovave duke ndërruar modele dhe ngjyra të ndryshme me shkëlqim, dhe më pas me dantellë të bukur në mëngë, e më në fund me material të tejdukshëm dhe me qendisje të thurur nga mbrapa dhe para.

Ndërkaq, ca vajza “më të civilizuara” dhe më elegante veshin ca mantela të hapur, pjesët anësore të të cilave nuk takohen njëra me tjetrën, e të mos flasim për shamitë e bukura të cilat kanë një dukje të shkëlqyer dhe kombinim perfekt me mantelin në fjalë, i cili bartë emblemën e markës më të mirë dhe koleksionit më të ri të mantelave.

Ndërsa për sa i përket mënyrës së veshjes, All-llahu na ruajt nga vogëlsia e mendjeve. Nganjëherë xhunga duket në maje të kokës, nganjëherë më poshtë, e nganjëherë duket mjekra dhe qafa, nganjëherë manteli lëshohet mbi supe, nganjëherë mbështillet për trupi shtrëngueshëm duke nxjerrë në shesh vijat e trupit, e nganjëherë e ngritë më lartë me gishta, sikur të jetë duke kaluar mbi ndonjë ujë apo duke kaluar ndonjë pengesë, e kështu me radhë.

Ngadalë… ngadalë oj motër… Përse e bën këtë? A nuk të mjafton fustani si zbukurin i lejuar me të cilin bën ç’të duash në shtëpinë tënde, ndërsa shejtani të mashtroi duke të të ofruar një veshje sikur kjo (mantel-fustan) dhe mënyrë të këtillë të veshjes, e cila e tërheq vëmendjen e burrave?! Ku është mendja? Ku është turpi, madje ku është frika nga All-llahu? Ku është kujdesi për mbulesën?!

Dijetari i njohur, Muhammed ibën Salih El-Uthejmini, All-llahu e mëshiroftë, u pyet: Cila është dispozita e mantelit të zbukuruar me rruaza e të qendisura duke e vendosur mbi supe dhe vendosja e shamisë duke e mbështjellur kokën me të, pa mos e lëshuar teposhtë mbi gjoks?

Ai u përgjigj: “Nuk ka dyshim se veshja që përmendët është zbukurim i pispillosur, ndërsa All-llahu i Madhërishëm ka thënë: Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme.” (El-Ahzab 33). Po ashtu ka thënë: “Le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre.” (En-Nur 31). Pra, përderisa All-llahu i Madhërishëm ua ka ndaluar grave të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të shfaqin stolitë e tyre si shfaqej në injorancën e hershme dhe ua ka ndaluar grave të besimtarëve të mos e shfaqin bukurinë dhe stolitë e tyre, atëherë kjo është argument se çdo gjë që është zbukurim dhe stoli, nuk lejohet shfaqja e tyre para burrave të huaj ngase konsiderohet pispillosje. Duhet ditur se sa më larg fitnes që të jetë veshja e gruas, aq më e vlefshme, më e mirë, më afër devotshmërisë dhe më e lidhur me All-llahun e Madhërishëm është ajo.”

Ndërkaq, Komisioni i Përhershëm i Fetvave në krye me Shejh Abdul-Aziz ibën Baz, All-llahu e mëshiroftë, është pyetur: A lejohet që gruaja të veshë rroba të ngushta?

Përgjigjja: “Gruas nuk i lejohet të dalë para burrave të huaj dhe të dalë nëpër rrugë e tregje e veshur me rroba të ngushta të cilat ia përkufizojnë dhe përshkruajnë vijat e trupit, ngase kjo i jep statusin e një gruaje lakuriqe dhe të asaj që provokon burrat!! Kjo ndikon deri te paraqitja e një sherri të rrezikshëm.”

Nuk do ta zgjas më tepër duke të të përmendur fetva të dijetarëve të nderuar, duke e pasur parasysh se dijetarët kanë dhënë fetva të shumta në lidhje me ndalesën e këtij lloji të mantelit si dhe për mënyrën e veshjes provokuese, si vendosja e tij mbi supe, ose mbështjellja e tij rreth trupit në një mënyrë të caktuar, lëshimi i zgjatur i shamisë së mëndafshtë pa përfillur asnjë rregull, e kështu me radhë.

E nëse ti thua: Tregu e ofron këtë lloj manteli… Nuk gjej dot lloj tjetër!! Unë po të them: Kjo nuk është kurrnjëfarë arsyetimi, është arsyetim i kotë dhe i papranueshëm! Përse ne nuk diktojmë veshjen të cilën e duam dhe të cilën islami e ka caktuar për ne?! Si thua, nëse ata sjellin mantele akoma më të këqija se këto, a do t’i kishe veshur me këtë arsyetim iluzionar… Ky është një argument i keq, dhe një arsyetim akoma më i keq sesa vetë mëkati. Vallahi, nëse nuk gjen mantel të përshtatshëm që të mbulon trupin ashtu si duhet, atëherë obligim e ke të qepësh vetë një mantel, që i plotëson kushtet e mbulesës islame. Kujdes dhe kujdes, oj motër myslimane nga këto mantele. Dije se ato janë haram, dhe me veshjen dhe promovimin e tyre, ti i mëkaton All-llahut të Madhërishëm. Po ashtu nëse bëhesh shembull i këtij lloj të veshjes për të tjerat, ti e bartë mëkatin e tyre pa mos iu mangësuar atyre mëkati aspak. Më e mira është të veshësh mbulesë të zezë, e cila nuk tërheqë vëmendjen e burrave, dhe të jetë pa vija, pa bula, pa zbukurime, pa dantellë dhe pa shenjë të markës dalluese të ndonjë dyqani prestigjioz me të cilin krenohesh. Nëse dëshiron ndryshimin nga e mira, atëherë ku je me veten? Ku je ndaj zbukurimit (me vepra të mira) për ditën kur do të dalësh para All-llahut?? Dhe për në fund, dije se, prej kushteve të mbulesës së saktë është të mos jetë stoli në vete, dhe të mos jetë diçka që tërheqë vëmendje.

O All-llah, unë e komunikova atë që duhet! O All-llah, Ti dëshmo për këtë!

 

www.thirrjaislame.com

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

About Thirrja