Home / Tema Islame / Sunnet / Hadithi 38: Lëmosha më e mirë

Hadithi 38: Lëmosha më e mirë

Feja islame ka nxitur në shpenzim dhe lëmoshë, përveç asaj që ka obliguar Allahu për dhënie të zeqatit. Krejt kjo që të shtohet afërsia ndërmjet njerëzve dhe të largohet zilia, urrejtja etj. Allahu ka premtuar shpërblim të madh për lëmoshën, për këtë arsye shokët e të Dërguarit bënin gara në lëmoshë dhe mundoheshin të fitojnë më shumë shpërblime.
Transmetohet se Ebu Hurejra r.a. ka thënë: Erdh një njeri te i Dërguari dhe tha: O i Dërguari i Allahut, cila lëmoshë është më e vlefshme?” Ai tha: “Të japësh lëmoshë duke qenë i shëndoshë dhe të dhimbet pasuria, i frikohesh varfërisë dhe shpreson në pasuri. Dhe mos prit derisa të të vijë shpirti tek arra e fytit, e të thuash “për filanin kaq, për filanin kaq, kurse ajo (pasuria) më është e dikujt tjetër.
            Dobitë e hadithit:

  1. Nxitja për shpenzim në rrugë të Allahut, veprimi i mirësive dhe veprave të mira, dhe mosvonimi i tyre;
    2. Shfrytëzimi i mundësive, siç ka ardhur në hadith: Shfrytëzoi pesë para pesëve: jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohen e lire para angazhimit, rininë para pleqërisë, pasurinë para varfërisë;
    3. Të shpenzohet pasuria më e dashur tek njeriu. Ka thënë Allahu: Nuk do ta arrini mirësinë, para se të shpenzoni atë që e doni;
    4. I sëmuri në shtratin e vdekjes nuk ka të drejtë të plotë në pasurinë e tij, pos sa ia lejon feja dhe ajo është një e treta. Gjithashtu, nëse do të lërë testament lëmoshe për dikë, nuk i lejohet më shumë se sa një e treta prej pasurisë;
    5. Sahabët kanë pasur kujdes për veprimin e punëve të mira dhe kërkimin e veprave më të mira;
    6. Myslimani gjithmonë e kërkon atë që i bën dobi dhe e afron kah Allahu i lartësuar  dhe i pyet dijetarët për veprat e mira;
    7. Luftimi i vetvetes nga vesi i koprracisë. Kjo bëhet nëpërmjet sjelljeve të mira, me sjellje të Kuranit dhe pasimin e të Dërguarit, adaptimin e vetes dalë-ngadalë në shpenzim dhe dhënie.

Nga arabishtja: Ibrahim Sherifi

About Thirrja