Home / Tema Islame / Sunnet / Hadithi 36: Rruga e xhenetit

Hadithi 36: Rruga e xhenetit

Shokët e të Dërguarit kanë qenë të kujdesshëm që të shpëtojnë nga dënimi i Allahut dhe kanë qenë të përmalluar për kënaqësinë e Allahut dhe hyrjen ne xhenetin e Tij. Për këtë arsye, kanë ardhur dhe shpesh e kanë pyetur të Dërguarin për rrugën që i shpie në cakun e tyre, edhe për punën që ua mundëson realizimin e dëshirës së tyre, e sidomos ata që takoheshin me të Dërguarin rrallë. I Dërguari i siguronte ata dhe u thoshte se të gjitha këto arrihen me përfilljen e urdhrave të Allahut dhe largimin nga ndalesat e Tij, pas besimit në Të.
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se kishte ardhur një beduin te i Dërguari dhe i kishte thënë: Më trego një punë që nëse e bëj do të hyj në xhenet! Ai tha: “Ta adhurosh Allahun dhe të mos i bësh ortak asgjë, ta falësh namazin e obliguar dhe të japësh zeqatin e domosdoshëm, ta agjërosh ramazanin. Beduini më pas tha: Pasha atë në dorën e të cilit është shpirti im, nuk shtoj më shumë se kaq! Kur shkoi ai, i Dërguari tha: Kush dëshiron që ta shohë një njeri prej banorëve të xhenetit, le ta shikojë këtë.
Dobitë e hadithit:

  1. Myslimani duhet të pyesë për atë që i intereson, për fenë e tij, për dunjanë e tij dhe për ahiretin e tij. Për këto duhet t’i pyesë njerëzit e diturisë që janë të devotshëm dhe të mire;
  2. Rëndësia e këtyre çështjeve të përmendura në hadith qëndron aty se këto janë shtyllat mbi të cilat është i ndërtuar Islami dhe se veprimi i tyre e shpie njeriun në xhenet. Nuk është përmendur haxhi në këtë vend, sepse pyetësi ka qenë duke shkuar në haxh;
  3. Veprat me të cilat ngarkohet myslimani janë dy llojesh: a) vepra obligative, për të cilat bën mëkat nëse i lë dhe b) të preferuara, lejohet lënia e tyre, mirëpo veprimi i tyre është më mirë. Ndërkaq, vazhdueshmëria në lënien e tyre dhe mospërfillja e tyre është mëkat, sepse të çon në anashkalimin e obligimeve. Nuk ia ka përmendur i Dërguari sunetet këtij pyetësi, sepse ai ishte i ri në Islam dhe nuk ka dashur që t’ia vështirësojë çështjen;
  4. Vazhdueshmëria në obligime e çon myslimanin që të veprojë vepra të preferuara dhe sunete. Kështu kanë qenë shokët e Pejgamberit, të cilëve u patë zënë vend Islami në zemrat e tyre, nuk kanë bërë dallim ndërmjet suneteve dhe obligimeve në pikëpamje të vazhdueshmërisë;
  5. Në hadith ka përgëzim për çdo besimtar që i vepron këto vepra, që do të përfundon me mirësi, me mëshirën e Allahut.

 

Përktheu nga arabishtja : Hoxhë Ibrahim Sherifi

About Thirrja