Home / Tema Islame / Akide / SFIDAT E MUSLIMANIT PRAKTIKANT

SFIDAT E MUSLIMANIT PRAKTIKANT

1-  Cila është dispozita për ndryshimin e emrit të një personi, i cili e pranon Islamin, dhe dëshiron ta ndryshojë emrin e vjetër që ai ka pasur me një emër të ri Islam, dhe a është ky ndryshim i emrit i detyrueshëm për të apo jo?

Përgjigje: Falënderimi i takon vetëm Allahut dhe paqja e mëshira qofshin mbi Pejgamberin, sal-allahu alejhi ue selem.

S’ka argument në Kuran dhe Sunet, i cili aludon për atë se personi që e pranon Islamin detyrohet ta ndryshojë emrin. Mirëpo nëse emri i tij në vetvete përmban ndonjë kuptim, i cili është në kundërshtim me Islamin, atëherë detyrohet ndryshimi i tij.

Shembull marrim emrin Abdulmesih (i cili do të thotë rob i Mesihut), dhe shumë emra të tjerë që pas fjalës Abd (Rob) i shtohet si shtojcë, e cila aludon në të qenit rob, por jo i Allahut azze ue xhel, si Abdushems, e Abdulmesih etj., dhe padyshim që këto emra janë në kundërshtim me ligjin e Allahut azze ue xhel, dhe kështu detyrohet ndryshimi i tyre. Ky është grupi i parë, kurse në grupin e dytë bëjnë pjesë emrat, të cilët nuk pëlqehet emërtimi me ato, dhe zëvendësohen me emra më të mirë, sikurse emri Huzën (Pikëllim) zëvendësohet me emrin Sehël (Lehtësi), dhe shumë emra të tjerë. Në grupin e dytë po ashtu bëjnë pjesë edhe emrat që emërtimi i tyre është i njohur dhe i përhapur në mesin e të Krishterëve, dhe dëgjuesi hutohet kur e dëgjon emërtimin e tij dhe dyshon, se personi është musliman apo i krishterë, dhe këto emra është shumë e pëlqyeshme të ndryshohen. Pra, për emrat e grupit të parë bëhet e detyrueshme zëvendësimi me emra të tjerë, kurse emrat e grupit të dytë pëlqehet dhe është mirë të zëvendësohen me emra më të mirë.

ABDULAZIZ IBËN BAZI

2-Muslimanët në shumë shtete të SHBA-së  nuk munden të gjejnë vende të përshtatshme për faljen e namazit të Xhumasë, kështu që shpesh e falin në disa kisha që i marrin me qira shumë lirë apo pa të holla. Disa nxënës dije nxitën një debat rreth saktësisë të atij namazi, i cili praktikohet në kishë, duke u bazuar në transmetimin e Ibën Omerit rreth ndalimit të namazit në kisha, faltore të Jehudive, varreza dhe thertore, ku nuk theret për Allahun azze ue xhel. Në fund  kjo rezultoi me largimin dhe mos-prezencën e disa muslimanëve në namazin e Xhumasë. Kërkojmë prej jush të nderuar hoxhallarë të na tregoni dispozitën e vërtetë për këtë çështje, që të tentojmë t’i kalojmë mosmarrëveshjet mes nesh në këtë shoqëri. Allahu ju shpërbleftë.

Përgjigje: Në rast se ekzistojnë vende të tjera, ku mundet të praktikohet namazi, atëherë nuk lejohet të falet namazi në kisha apo faltore të tjera të jomuslimanëve, për shkak se ato janë faltore, ku aty nuk adhurohet Allahu azze ue xhel, dhe brenda kanë piktura dhe skulptura. Ndërsa nëse s’ka vende të tjera të përshtatshme, atëherë lejohet falja e namazit në ato vende, por vetëm me nevojë. Omeri radijallahu anhu thoshte: “Ne nuk futemi në faltoret tuaja, për shkak se aty ka skulptura dhe piktura”. (Buhariu), ndërsa përcillet se Ibën Abasi falej në faltoret e jomuslimanëve, që nuk kishin skulptura dhe piktura. (Buhariu).

KOMISIONI I PËRHERSHËM I FETVAVE

3- Jam një djalosh gjashtëmbëdhjetë vjeçar dhe xhaminë e kam shumë afër shtëpisë sime. Mirëpo babai im nuk më lejon që ta fal namazin e Sabahut në xhami, kurse namazet e tjera më lejon. Thotë se frikësohet se do të më ndodhë diçka, për shkak se mes xhamisë dhe shtëpisë sime janë dy rrugë që duhet t’i kaloj. I kam folur shumë që të më lejojë duke i treguar argumente prej Kuranit dhe Sunnetit, por s’pajtohet. Prandaj, a lejohet që të shkoj në xhami pa dijen e tij?

Përgjigje: Së pari desha të uroj për këtë ambicie të lartë që ti ke dhe kujdesin tënd për faljen e namazeve me xhemat dhe e lus Allahun azze ue xhel që të të forcojë në fenë  e Tij, të të udhëzojë në rrugën e Tij të drejtë, dhe të të mbrojë prej sjelljeve të prindit tënd, që mos të jenë pengesë e udhëzimit tënd dhe veprimit të punëve të mira. Para se t’i përgjigjem pyetjes tënde dëshiroja të rikujtoj një çështje shumë të rëndësishme, e ajo është, se: Respektimi i prindërve dhe nënshtrimi ndaj tyre është detyrim që na porosit Allahu në shumë ajete të Kuranit, Ai azze ue xhel thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit.” Nisa 36, dhe thotë në ajetet e tjera: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” Isra 23-24.

Dije se nënshtrimi ndaj tyre është i detyruar për ty, ndërsa mosrespektimi i tyre lejohet vetëm kur ata të urdhërojnë në mëkate. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk ka dëgjueshmëri dhe nënshtrim duke i bërë mëkat Allahut, por nënshtrimi është duke bërë mirësi”. (Buhariu dhe Muslimi).

Namazi me xhemat është detyrim, prandaj nuk lejohet që prindi ta ndalojë fëmijën e vet të rritur nga kryerja e ndonjë detyrimi. Prindi detyrohet ta urdhërojë dhe nxisë fëmijën e tij në kryerjen e detyrimeve fetare, dhe kur e vëren se fëmija i tij i neglizhon detyrimet e veta, atëherë prindi duhet të ndjejë se ka përgjegjësi ndaj tij dhe se do të pyetet para Allahut Ditën e Gjykimit për anëtarët e familjes së tij. Prandaj ai duhet t’i urdhërojë dhe t’i ndalojë, t’i rikujtojë për detyrimet e tyre fetare dhe për rrezikun e lënies së tyre. Në rast se prindi neglizhon detyrimet e tij që ka ndaj fëmijëve, duke mos i urdhëruar në të mirë dhe ndaluar nga e keqja, duke mos i nxitur në vepra të mira dhe duke i frikësuar prej veprave të këqija, atëherë ata fëmijë nuk falen prej gjynaheve kur i neglizhojnë detyrimet dhe bëjnë mëkate. Në rast se prindi i tejkalon kufijtë, duke e ndaluar birin e tij prej detyrimeve që ai ka ndaj Allahut, atëherë nuk ka nënshtrim duke i bërë Allahut mëkat. Kur prindi e urdhëron birin e tij në lënien e namazit me xhemat tërësisht ose pjesërisht, veçse e ka urdhëruar në mëkat dhe atëherë nuk ka nënshtrim ndaj urdhrave të tij, duke mos e neglizhuar sjelljen e mirë dhe bamirësinë ndaj tij.

Ndërsa për sa i takon pyetjes tënde, a lejohet të shkosh fshehurazi në namazin e Sabahut? Kjo është mirë për ty, por e dëmton prindin tënd edhe atë duke mos e vërejtur çështjen aspak. Prindi yt është mëkatar derisa vazhdon të ndalon të dalësh për ta falur namazin e Sabahut me xhemat, dhe dalja jote fshehurazi nuk e largon mëkatin prej atij. Ai vazhdon të jetë urdhërues në të keqe dhe ndalues nga e mira, edhe kur ti del për në namaz pa diturinë e tij. Prandaj, së pari tento ta bindësh me dispozitën e sheriatit, dhe në rast se nuk e pranon prej teje dhe të trajton si të vogël, atëherë provo që të tjerët të depërtojnë tek ai. Në rast se nuk pranon, atëherë lejohet të dalësh pa lejen e tij dhe pa dijen e tij, duke qenë i kujdesshëm kur e kalon rrugën deri në xhami.

Në fund i drejtohemi babait tënd, Allahu e udhëzoftë, duke e rikujtuar se Allahu azze ue xhel të ka detyruar me përgjegjësi të madhe, e ajo është mësimi dhe këshilla e familjes tënde. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë:”Të gjithë ju jeni barinj e të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj… dhe burri është përgjegjës për pjesëtarët e familjes së tij”.

Allahu azze ue xhel të ka urdhëruar ta ruash veten dhe familjen tënde prej zjarrit të Xhehenemit, duke thënë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”. Tahrimë 6, dhe fjala e Allahut duke urdhëruar për namazin: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”. Taha 132.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë thotë: Kush anashkalon mësimin e fëmijës së tij atë çka i bën dobi, dhe e len të neglizhuar, vetëm se e ka ofenduar dhe dëmtuar shumë. Shumë fëmijë janë shkatërruar prej prindërve të tyre, për shkak të neglizhencës ndaj tyre, duke mos ua mësuar detyrimet dhe sunetet fetare, prandaj i shkatërruan të vegjël dhe nuk i bënë dobi vetes, e as nuk i bënë dobi prindërve të tyre, kur u rritën. (Tuhfetul Uedud, faqe 229).

Ne të drejtohemi me një pyetje të rëndësishme: Ku je ti në namazin e Sabahut!? A nuk është detyrim edhe për ty të falesh me xhemat!? A nuk je i detyruar që të jesh shëmbëlltyrë për familjen tënde dhe ta falësh namazin në xhami me xhemat!? Ti kur e fal namazin me xhemat e kryen atë që të ka detyruar Allahu, e ndihmon birin tënd të shkojë në xhami, dhe e ndihmon veten të jesh i qetë, se biri jot nuk e kalon rrugën vetëm.

Dije, o ti prind i nderuar, se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, na ka lajmëruar se ai që e fal namazin e Sabahut është nën mbrojtjen e Allahut. Pra, si frikësohesh për atë që është nën mbrojtjen e Allahut.

Na transmetohet prej Xhundub ibën Abdullahut, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut, prandaj askush mos t’i kundërvihet kësaj me diçka, sepse kush i kundërvihet kësaj, Allahu do ta arrijë atë, dhe pastaj do ta gjuajë me fytyrë në zjarr të Xhehenemit”. (Muslimi).

Fjala mbrojtje në hadith e ka kuptimin: Garanci, apo disa tjerë thonë: Besnikëri, sikurse ka thënë Imam Neveviu.

E lus Allahun që të mundësojë ta kryesh amanetin, dhe të jesh shëmbëlltyrë për familjen tënde, dhe të ndihmosh birin tënd në kryerjen e namazeve në shtëpinë e Allahut azze ue xhel. Allahu e di më së miri.

MUHAMED SALIH EL MUNEXHID

4-Unë jam një grua muslimane. Dy vitet e fundit kontaktoj nëpërmjet internetit me disa gra jomuslimane prej Evrope dhe Amerike, dhe shkëmbejmë mes nesh dhurata të ndryshme dhe disa sende rrobaqepësie. Tentova të diskutojmë rreth Islamit, por kisha frikë se dituria ime për t’i thirrur në  Islam është e vogël dhe mund të gaboj. Prandaj i nderuari hoxhë, çka më këshilloni të veproj. T’i shkëpus marrëdhëniet e mia me ato gra përfundimisht, apo të vazhdoj t’i kontaktoj më qëllim që t’i thërras në Islam, edhe pse e kam të vështirë dhe më tregoni se si të filloj. Dhe në fund, marrëdhëniet tona a konsiderohen shoqërore dhe a është e lejuar ajo shoqëri?

Përgjigje: Nuk lejohet që një musliman apo muslimane të bëjë shok apo shoqe prej jobesimtarëve, se Allahu azze ue xhel e ka ndaluar kultivimin e simpatisë ndaj jobesimtarëve, miqësinë e tyre dhe bashkëpunimin me ata. Allahu azze ue xhel thotë: “Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Allahu ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka fuqizuar ata me shpalljen e Vet. Ai do t’i shpjerë ata në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata do të jenë të kënaqur me Të. Ata janë Pala e Allahut dhe me të vërtetë që Pala e Allahut do të jetë fitues”. Muxhadeleh 22, dhe thotë: “O besimtarë! Mos i bëni miq e mbrojtës hebrenjtë dhe të krishterët! Ata janë mbrojtës të njëri-tjetrit. Kushdo prej jush që i bën ata miq, është me ata. Vërtet Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë keqbërësit”. Maideh 51, dhe thotë: “O besimtarë! Mos zgjidhni për miq dhe këshilltarë të afërt njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj; ata nuk ngurrojnë që t’ju bëjnë dëm. Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre është edhe më e madhe. Ne jua kemi shpjeguar vargjet (e Kuranit), nëse jeni njerëz që kuptoni.” Ali Imran 118.

-Lejohet që një musliman t’i kontaktojë jobesimtarët dhe t’u japë dhurata, me qëllim që t’i thërrasë në Islam. Por me kusht që të jetë i mbrojtur me dituri dhe besim, të jetë i përpiktë në davet, dhe t’i njohë dyshimet dhe traditat e atij populli. Ai që s’është i përpiktë, nuk i takon ta mundojë veten e tij në këtë sferë, për shkak të sprovave dhe dyshimeve që mund ta godasin, dhe të bëhen shkaktarë për devijimin e tij, Allahu na ruajt.

-Në rast se kontaktet e juaja kufizohen vetëm në shkëmbimin e sendeve për rrobaqepësi, dhe përfitimi prej atyre në këtë sferë, duke mos arritur çështja deri në kultivimin e simpatisë dhe dashurisë ndaj tyre, dhe urimeve të festave të tyre, atëherë s’ka gjë inshallah, lejohet kontaktimi me ato. Argument për atë çka thamë është vetë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili bashkëpunonte me Jehuditë në shitblerje. Po ashtu s’ka gjë në dhurimin e disa dhuratave, nëse s’janë prej jobesimtarëve që e luftojnë Islamin dhe muslimanët, Allahu azze ue xhel thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët”. Mumtehine 8.

Dijetari i njohur Abdurrahman Sadi, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “S’ju ndalon Allahu prej respektimit, marrëdhënieve, shpërblimit në mirësi dhe drejtësisë ndaj jobesimtarëve, prej të afërmve tuaj dhe të tjerëve, derisa nuk i takojnë atyre që ju luftojnë në fe dhe ju largojnë prej vendbanimeve tuaja. Prandaj s’ka gjë në marrëdhëniet mes jush, se marrëdhëniet në këtë rast janë të lejuara”.

-Mjetet e davetit janë të shumta dhe të llojllojshme, prej tyre:

1- Dialogu i drejtpërdrejtë: Duhet të përqendrohemi në qartësimin e mirësive të Islamit, qartësimin e vërtetë të teuhidit, rëndësinë e besimit dhe porosisë së Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, pastaj duhet të qartësohet se fetë e tjera jashtë Islamit janë të kota, për shkak të devijimit, ndryshimit dhe zëvendësimit që kanë bërë jobesimtarët me librat e tyre.

2- Dhurata e librave dhe e botimeve që flasin për Islamin dhe dëshirën për pranimin e tij.

3- Udhëzimi i të tjerëve për faqe të posaçme interneti, që e qartësojnë Islamin dhe thirrjen në të, pastaj përgjigjet ndaj dyshimeve të kundërshtarëve dhe diskutimi i atyre me atë çka është më e mirë.

Në fund, ju porosis se thirrësi në Islam duhet të zotërojë domosdoshmërish dituri dhe besim të fortë, që të ballafaqohet me dyshimet dhe epshet, ose t’ia lirojë vendin tjetrit, i cili është më i mirë se ai, se në të kundërtën do të rrezikojë fenë e vet. Allahu e di më së miri.

MUHAMED SALIH EL MUNEXHID

5- I nderuari hoxhë, unë jam një muslimane prej Bullgarisë dhe shteti im shumë vite me radhë ka qenë nën sundim komunist. Në atë periudhë shumica e adhurimeve ishin të ndaluara dhe njerëzit s’dinin për Islamin asgjë. Unë personalisht s’dija gjë për Islamin, deri sa u bëra njëzetvjeçare dhe Allahu azze ue xhel më udhëzoi në fenë e Tij. Pyetja ime është: A duhet ta kompensoj namazin dhe agjërimin, që nuk e kam praktikuar në atë periudhë? Allahu ju shpërbleftë.

Së pari, e falënderojmë Allahun azze ue xhel, që ju largoi prej atij sistemi komunist të padrejtë e zullumqar, i cili  dyzet vite me radhë i shtypi muslimanët, i shkatërroi xhamitë, e disa prej tyre i shndërroi në muze, i mbyllën shkollat islame, muslimanëve ua ndryshuan emrat, dhe identitetin  e tyre islam e humbën dhe e shkatërruan. Por Allahu e ndihmon dhe e përsos dritën e Vet, edhe nëse këtë gjë e urrejnë jobesimtarët.

Sistemi komunist i padrejtë dhe zullumqar u rrëzua në vitin 1989. Muslimanët u gëzuan shumë, sepse u kthyen në xhamitë e tyre të vjetra, që t’i ndërtojnë dhe riparojnë ato, fëmijët iu kthyen mësimit të Kuranit, dhe në rrugët u paraqit përsëri mbulesa islame. E lusim Allahu azze ue xhel që t’i kthejë muslimanët në fenë e Tij dhe t’i ndihmojë, t’i bëjë krenar dhe armikun e tyre ta shkatërrojë.

Brezat që janë rritur në këtë periudhë zullumqare s’kanë ditur gjë fare për Islamin, mësimi fetar ka qenë i ndaluar, depërtimi i Kuranit dhe i librave islame ishte i ndaluar, dhe gjëja e vetme që ata dinin ishte se ata i takojnë fesë Islame. Prandaj ata persona që s’dinë fare për dispozitat islame, detyrimet dhe adhurimet e tyre, nuk detyrohen t’i përsërisin, pra ato adhurime që s’i kanë vepruar. Muslimani që s’ka mundur të kërkojë dituri fetare, dhe tek ai s’kanë arritur dispozitat e sheriatit, atëherë ai musliman nuk detyrohet me asgjë, Allahu azze ue xhel thotë: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka”. Bekare 286.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “S’ka divergjencë mes muslimanëve, se ai musliman që jeton në vendet e kufrit (Darul kufër) dhe ai është besimtar dhe s’ka mundësi që të bëjë hixhret, s’i detyrohen atij dispozitat që nuk mund t’i praktikojë në atë vend, se detyrimi është sipas mundësive. Po ashtu, nuk detyrohet edhe personi, i cili nuk e di dispozitën e ndonjë çështjeje, si p.sh. në rast se nuk e di se e ka detyrim faljen e namazit, dhe një periudhë nuk e fal, nuk i detyrohet përsëritja e namazeve që nuk i ka falur. Ky është mendimi më i saktë, dhe është medhhebi i Ebu Hanifes, Dhahirive dhe një prej dy mendimeve në medhhebin e imam Ahmedit.

Po ashtu, ky rregull vlen edhe për detyrimet e tjera, si: agjërimi i muajit të Ramazanit, dhënia e zeqatit etj. Në rast se personi nuk e di, se pirja e alkoolit është haram, atëherë pirësi i tij nuk dënohet, dhe kjo me pajtimin e të gjithë muslimanëve.

Por divergjenca mes dijetarëve siç e cekëm më parë është në përsëritjen e namazeve. Baza dhe prejardhja e krejt kësaj është, se: a detyrohet me detyra ai që nuk i di ligjet apo nuk detyrohet askush, deri sa ti mësojë? E vërteta në këtë çështje është, se: Dispozita nuk pohohet përveçse pas mundësisë së marrjes së diturisë, dhe se nuk e përsërit deri sa nuk e mëson detyrimin e saj. Transmetohet se ka pasur prej Sahabëve që ka ngrënë në Ramazan pas lindjes së diellit, deri sa i është sqaruar koha e fillimit dhe e mbarimit të agjërimit, dhe Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk e ka urdhëruar ta kompensojë atë ditë me një ditë tjetër. Disa prej tyre si Ebu Dheri, Omer ibën Hatabi, Amari bëheshin xhunub dhe rrinin një kohë pa u falur, sepse nuk gjenin ujë duke mos e ditur se lejohet falja e namazit me tejemum, dhe Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk i urdhëroi ta përsërisin namazin.

S’ka dyshim se muslimanët e Mekës në fillim faleshin të drejtuar kah Bejtul Makdisi, derisa arriti urdhri prej Allahut të drejtohen nga Kibla, dhe s’u urdhëruan që ta përsërisin namazin. Kësisoj raste janë të shumta. Kjo përputhet me bazën në të cilën është selefi dhe shumica e dijetarëve, se: Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka, dhe se detyrimi kushtëzohet me mundësi, dhe se dënimi nuk vjen vetëm se me lënien e të urdhëruarës, ose veprimit të të ndaluarës, pasi t’i bëhet i qartë argumenti”. (Mexhmua el Fetava 19/ 225). Sipas kësaj, juve s’ju detyrohet përsëritja e asaj që ka kaluar dhe nuk e keni ditur se është detyruar, dhe këshilla ime është që ta mësoni fenë dhe dispozitat e saj, dhe të punoni me ato, t’i mësoni brezat e ardhshëm për fenë e tyre, që të përballoni ju dhe ata sfidat me të cilat do të ballafaqoheni në të ardhmen. E lusim Allahun azze ue xhel që ta forcojë Islamin dhe muslimanët. Allahu e di më së miri.

MUHAMED SALIH EL MUNEXHID

Zgjodhi dhe përkthehu: Irfan JAHIU

About Tema