Home / Tema Islame / Edukim dhe pastrim shpirti / MOS E HUMBNI SHPRESËN NË MËSHIRËN E ALLAHUT

MOS E HUMBNI SHPRESËN NË MËSHIRËN E ALLAHUT

E kaluara për disa të rinj bëhet pengesë mes tyre, pendimit dhe të përqendruarit në fe. Kur atyre ju shkon ndërmend pendimi, shumë shpejt ju sillen nëpër mendtë ato pamje të dhimbshme nga jeta e tyre dhe guximi për të bërë mëkate dhe largimi prej adhurimeve. Kjo ju bëhet pengesë në rrugë.

Ne s’kemi nevojë për diskutime logjike apo pikëpamje njerëzore për ta larguar këtë pengesë, sepse për çfarëdo mirësie që kemi nevojë Allahu na e ka sqaruar në Kuran apo në traditën e të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe kur i kthehemi Kuranit aty lexojmë për thirrjen që na bëhet për pendim:

1. Allahu e thirri në pendim çdonjërin që Allahut i bëri ortak, apo vrau njeri, apo ra në kurvëri dhe tha: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriut të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu.” (Furkan: 68-71.)

2. Allahu i thirri hipokritët në pendim të cilët janë në fund të zjarrit të Xhehenemit: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës. Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” (Nisa: 145-146.)

3. Allahu i thirri në pendim ata të cilët i kanë bërë veprat më të këqija dhe më të mëdha, derisa e morën guximin edhe të shpifin për Allahun se ka fëmijë: “Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm. Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!” (Maide: 73-74.)

4. Madje humbja e shpresës dhe dëshpërimi nga mëshira e Allahut llogaritet cilësi e jobesimtarëve: “Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.” (Jusuf: 87.) Po ashtu Allahu ndalon robërit e Tij në Kuran që t’i kaplon ndjenja e dëshpërimit e të humbin shpresën në mëshirën e Allahut: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer: 53.)

Allahu në këtë ajet ju drejtohet me këtë fjalë të dashur që e bën çdonjërin të ndjen afërsinë e Allahut: “O ju robërit e Mi.” Që të mos shndërrohet ky pendim në shpresë të rrejshme dhe në gënjeshtër iluzionare, Allahu pas atij ajeti ku thërret në pendim e vijon me një ajet tjetër menjëherë ku thotë: “Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë.” (Zumer: 54-55.)

5. Vëlla i dashur, madje çështja e pendimit është mbi të, dëgjo me vëmendje atë që e cek i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Allahu gëzohet më shumë për pendimin e robit të Vet i cili pendohet, se çdo të bënte ndonjëri prej jush kur do të udhëtonte mbi deve nëpër shkretëtirë dhe e humb atë, kurse mbi të ndodhet i tërë ushqimi dhe uji, e kërkon gjatë atë dhe kur e humb çdo shpresë se mund ta gjejë, e zë gjumi dhe kur zgjohet e shikon devenë e tij e cila qëndron e qetë në afërsi të tij, andaj kërcen shpejt dhe e kap kapistallin dhe nga gëzimi i madh bërtet: ‘Zoti im, Ti je robi im, e unë jam zoti Yt’, duke u shprehur gabim nga gëzimi i madh.”

E pas kësaj a mbetet vend për atë dyshim apo pengesë artificiale?!

Nxito për në pendim drejt Allahut dhe mjerë për ty nga lënia e pendimit për më vonë sepse ti nuk e di se çfarë është përcaktuar për të nesërmen tënde: “Që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!” Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”. Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”! (Zumer: 56-58.)

Pjesë nga libri: ‘Dialog me një djalosh’ – Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

About Tema