Home / Tema Islame / Haxhi / KRYERJA E HAXHIT PËR TË VDEKURIN

KRYERJA E HAXHIT PËR TË VDEKURIN

Një nga veprat që përfiton i vdekuri nga të tjerët është edhe kryerja e haxhit.

Kjo duke u bazuar në hadithin e ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: Dikush e ka dërguar gruan e Sinan ibën Abdullah el-Xhuheniut ta pyet të Dërguarin e Allahut, paqa dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, se nëna e saj i ka vdekur, ajo nuk e ka kryer haxhin a lejohet ta kryej unë haxhin për të? – i tha i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqa e Allahut qofshin mbi të: ”Po, e sikur të kishte pasur nëna e saj borxh e ta kompenzoje në vend të saj a do të pranohej një gjë e tillë?” – Tha ajo: Po. – I tha: “Atëherë krye haxhin për nënën e saj.”

Erdhi një grua – siç theksohet në hadithin e përcjellë nga ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, – tek i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “Nëna ime është zotuar se do ta kryente haxhin, por ndërroi jetë dhe nuk mundi të shkon në haxh, a mund që unë të shkon të kryej haxhin për të? I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, i tha: “Po, shko dhe kryeje haxhin për të, çfarë mendon, në qoftë se ajo të kishte borxh, a do t’ia kishe paguar?!” Ajo tha: Po. Ai tha: “Atëherë, paguaja, se Allahu është më i merituar që t’ia përmbushësh zotimin.”

Në një version tjetër qëndron: “Shlyeje atë që i detyrohesh Allahut, sepse Allahu e meriton më shumë larjen e borxhit ndaj tij.”

Kurse në një version tjetër qëndron: Një njeri ka thënë: Motra ime është zotuar se do ta kryej haxhin porse ajo vdiq. – i tha i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Shlyeje borxhin e saj ndaj Allahut sepse Ai e meriton më shumë që borxhin ndaj ti shlyesh.”

Abdullah ibën Burejdah, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një grua i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: O i Dërguari i Allahut, nëna ime kishte për të aghjëruar një muaj dhe nëdrroi jetë, a të agjëroj atë muaj për të? I tha: “Po agjëro për të.” Ajo tha: Nëna nuk e ka kryer haxhin asnjëherë, a ta kryej unë për të? I tha: “Po kryeje për të.”

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: Këto hadithe të sakta janë argumente të qarta se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, urdhëroi në kryerjen e haxhit detyrues për të vdekurin dhe kryerjen e haxhit në të cilin është zotuar i vdekuri se do ta kryen dhe nuk e ka kryer zotimin e tij, dhe po ashtu, ka urdhëruar në plotësimin e agjërimit që është zotuar se do ta agjëron i vdekuri dhe nuk e ka agjëruar, e i urdhëruari herë është i biri, e herë i vëllai, dhe këtë i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shëmbëlleu me borxhin që bie mbi të vdekurin dhe borxhi lejohet që të shlyhet nga çdonjëri dhe e njëjta vlen për haxhin.

Ajo që vlen të përmendet është se ai që do të shkon të kryen haxhin për të vdekurin fillimisht duhet të ketë kryer haxhin për vete, e pastaj kur e kryen haxhin njëherë për vete atëherë i lejohet që herëve tjera të shkon si zëvendësues për dikë tjetër. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e dëgjoi një njeri duke thënë: Të përgjigjem o Allah për Shubremeten. – I Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush është Shubremeteja?” – I tha: Vëllau im. – Ose: Një i afërt i imi – ka thënë personi. – I thotë i Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “A e ke kryer haxhin për vete?” – I tha: Jo. – I tha: “Kryeje haxhin për vete pastaj për Shubremeten”

Po ashtu ajo që vlen të përmendet është edhe fakti se haxhi është shtyllë e islamit dhe njeriu duhet të mundohet ta kryen duke qenë i gjallë, e nëse ndërron jetë dhe haxhi detyrues i mbetet pa e kryer për shkaqe të pranuara, si varfëria apo mos pasja e sigurisë gjatë rrugës, etj, atëherë ky njeri me lejen e Allahut arsyetohet, kurse ai i cili i ka pasur të gjitha mundësitë për të shkuar dhe këtë adhurim e ka anashkaluar dhe ashtu jetë ka ndërruar, ky njeri është mëkatar, sepse e ka braktisur kryerjen e një prej shtyllave të islamit.

Ka prej dijetarëve që e cekin se për ata që e kanë anashkaluar shkuarjen në haxh duke i plotësuar të gjitha kushtet nuk shkohet në haxh pas vdekjes së tyre, sepse nga haxhi i kryer për ta nuk përfiton asnjëra palë, pra është e kotë të shkohet në raste të tilla. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo vlen vetëm për ata që kanë pasur arsye në moskryerjen e haxhit dhe dhënien e zeqatit, kurse ata që kanë pasur mundësi ta kryejnë haxhin detyrues dhe ta japin zeqatin dhe nuk e kanë kryer, për ta nuk shkohet në haxh dhe nuk jepet zeqati, sepse nuk i bën dobi kryerja e ndonjë prej detyrimeve të Allahut nga dikush tjetër për të, pasi që ai ato i ka anashkaluar. Mirëpo më e sakta është se ai që ka pasur mundësi të shkon në haxh dhe nuk ka shkuar dhe pastaj jetë ka ndërruar, ai ka vdekur si mëkatar, mirëpo haxhi lejohet t’i kryhet pas vdekjes së tij.

Nëse njeriu ndërron jetë dhe haxhi i detyruar i mbetet pas mos e kryer, me arsye apo pa arsye, atëherë nga trashëgimia dhe të hollat e tij që i ka lënë dërgohet dikush për ta kryer haxhin për të, pa marrë parasysh se i vdekuri a ka porositur apo nuk ka porositur të kryhet haxhi për të.

Kurse nëse i vdekuri nuk ka lënë trashëgimi pas vete me të cilat mundet të shkohet për të në haxh, atëherë trashëgimtarët e tij nuk e kanë për detyrë të shkojnë të kryejnë haxhin për të, mirëpo një gjë e tillë pëlqehet të kryhet nga ana e tyre, qofshin ata vet apo e dërgojnë dikë tjetër të shkon për prindin e tyre.

Nëse kanë vdekur të dy prindërit dhe fëmija i tyre dëshiron të shkon në haxh për ta apo të dërgon dikë që ta kryen haxhin për ta, i jepet përparësi nënës para babës në kryerjen e haxhit, sepse nëna është më meritore në respekt se sa prindi, duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë se erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “O i dërguar i Allahut, kush është më meritorë për sjelljen dhe shoqërimin timë më të mirë? Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Nëna yte.” Prap e pyeti : e pastaj kush?

Tha: “Nëna yte.” E pastaj kush? Tha: “Nëna yte.” E pastaj kush? Tha: “Baba yt.”

Për këtë arsye njëherë kryhet haxhi për nënën, e pastaj vitin tjetër për babën.

Përgatiti: Hoxhë Irfan Jahiu

About Tema