Home / Tema Islame / Fikh / LUTJA PËR TË VDEKURIN GJATË VIZITËS SË VARREZAVE

LUTJA PËR TË VDEKURIN GJATË VIZITËS SË VARREZAVE

Muslimani preferohet të shkon t’i viziton varrezat që ato t’ia rikujtojnë vdekjen dhe ahiretin dhe t’i zbutet zemra, mirëpo edhe të bën lutje për banorët e varrezave. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Vizitoni varrezat, ngase ato ua përkujtojnë vdekjen.”

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i vizitonte varrezat brenda kohe, natën apo ditën, i vizitonte dhe ju jepte selam dhe lutej për ta duke thënë:

“Esselamu alejkum ehleddijari minel mu’minine vel muslimine ve in’na inshaAllahu bikum lahikun. Es’elull-llahe lena ve lekum elafijeh.”

(Shpëtimi qoftë mbi ju banorë të varrezave besimtarë dhe muslimanë, edhe ne, në dashtë Allahu, do t’ju bashkangjitemi. E lus Allahun që të na shpëtojë ne dhe ju.)

Njashtu preferohet lutja për ta për falje të mëkateve, për shpëtimin e tyre, futjen e tyre në Xhenet dhe mbrojtje nga Xhehenemi dhe lutje tjera me fjalë të bukura që në vete përmbajnë kërkim faljeje dhe mëshirë për ta. Preferohen lutjet nga Kurani dhe Suneti, mirëpo lejohen edhe lutje të përgjithshme me fjalë të bukura të përpiluara nga vetë lutësi dhe që në vete nuk përmbajnë diçka që bie në kundërshtim me parimet fetare.

Lutja nuk është kusht të jetë në gjuhën arabe, po lutësi lutjen e bën në gjuhën e vet që e kupton dhe lutet me lutje që i kupton, në drejtim të Kibles e jo të varrit. Është përhapur në popull se për të vdekurin lexohet një elham apo fatiha (qëllimi është për suren Fatiha), por kjo nuk është nga tradita e Profetit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sepse surja në vete përmban lutje për udhëzim dhe kërkim mbrojtje nga çdo devijim, e kjo vlen për të gjallin dhe jo për të vdekurin, sepse për të vdekurin kërkohet falje dhe mëshirë dhe mbrojtje nga çdo ndëshkim të ahiretit.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se dijetarët janë unik në atë se lutja u bën dobi të vdekurve dhe shpërblimi i saj u shkon atyre.

Lutja e muslimanëve, ku i vdekuri veçohet në lutje apo përfshihet në lutjen e përgjithshme të muslimanëve për muslimanët.

Pëlqehet që muslimani të lutet për vëllain musliman, të gjallë apo të vdekur, apo të lutet në përgjithësi për gjithë muslimanët anekënd botës, të gjallë apo të vdekur, sepse lutja e tij mund të bie sebep që të mëshirohet apo ndëshkimi t’i lehtësohet apo gradat e tij të lartësohen.

Madje, prej drejtave të vëllazërisë dhe shoqërisë është të lutesh për vëllain tënd musliman, të gjallë apo të vdekur, duke u lutur për të dhe për familjen e tij me gjitha ato lutje që lutesh edhe për vetveten.

Disa nga të parët tanë thanë: Lutja për të vdekurit e ka gradën e dhënien e dhuratave për të gjallët.

Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashër 10.)

Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur muslimani lutet për vëllanë e tij, pa ditur gjë (ky i fundit), lutja pranohet. Tek koka e lutësit qëndron një melek i ngarkuar të thotë, pas çdo lutjeje të mirë për vëllanë musliman, Amin, të dhëntë Allahu edhe ty të njëjtën gjë!”

Hadithi e përfshin lutjen e muslimanit për vëllanë e tij musliman që s’është prezent, qoftë gjallë apo i vdekur.

Përgatiti: Hoxhë Irfan Jahiu

About Tema