Home / Tema Islame / Akide / O TI I SPROVUAR ME SIHËR !

O TI I SPROVUAR ME SIHËR !

O ti që je i sprovuar me sihër, mos u pikëllo për atë që të goditi. Allahu e sprovon robin e Tij që ta afron kah Ai. Mos u zemëro për atë që të goditi, dhe mos u dëshpëro nga ajo që Allahu e caktoi për ty. Kjo ka mundësi të jetë shkak për lumturinë tënde. Allahu thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju”. Bekare 216.

Duaja e të dëmtuarit pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Tri lutje (dua) janë të pranuara pa dyshim: lutja e atij mbi të cilin bëhet padrejtësi, lutja e udhëtarit (mysafirit), si dhe lutja e prindit për fëmijën e vet”.

Nëse bën durim dhe i frikohesh Allahut, për ty do të ketë përfundim të mirë. Allahu thotë: “Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”. Earaf 128.

Shpeshtoje lutjen e Junusit, alejhi selam, i cili tha: “LA ILAHE IL-LA ENTE SUBHANEKE INNI KUNTU MIN EDH-DHALIMIN”.( Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes!). I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Muslimani nuk lutet me këtë lutje për ndonjë gjë, e të mos i pranohet lutja”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë se është vërtetuar se kush e thotë shtatë herë, Allahu ia largon problemin e tij.

Bëje duanë: “Ina lilahi ue ina ilejhi raxhiun, Allahume exhurni fi musibeti ue hluf li hajran minha” (Të Allahut jemi dhe tek ai do të kthehemi, O Allah më shpërble për këtë fatkeqësi dhe ma kompenzo atë me një më të mirë se atë që kisha). Kjo le të jetë e shpeshtë në gjuhën tënde. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e thotë këtë lutje, Allahu do ta shpërblen për këtë fatkeqësi dhe do t’ia zëvendëson me diçka më të mirë”.

Kapu edhe për istigfarin, ngase istigfari t’i largon brengat dhe t’i lehtëson vështirësitë.

O ti që je i sprovuar me sihër, për ty më mirë është që je i dëmtuari se sa i padrejti. Për këtë arsye mbështetu Zotit tënd, dhe shpeshtoje istigfarin dhe lutjet, dhe dije se lehtësimi i Allahut është afër. Mjerë për ty nëse dëshpërohesh nga mëshira e Allahut!!

Kur njeriu është i afërt me Allahun, nga ai largohen belat dhe sherri. Përmendja e shpeshtë e Allahut, është nga shkaqet e ndalimit dhe pengimit të sihrit. Përkujdesja për namazet, e sidomos namazi i sabahut me xhemat është mburojë nga sherret. Surja Bekare është e bereqetshme. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Lexojeni suren Bekare! Mësimi i saj është bereqet, kurse lënia e saj është humbje, dhe ai që e lexon nuk mundet t’i bëjnë dëm magjistarët”.

Leximi i sures Felek dhe Nas në mëngjes dhe mbrëmje, janë sebep për mbrojtje nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka porosit Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, duke i thënë: “Kërko mbrojtje me to. Nuk ka njeri që ka kërkuar mbrojtje me diçka më të mirë se sa me to”.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nevoja e njeriut të kërkon mbrojtje me ato dy sure, është më e madhe se sa nevoja e tij për ujë, dhe ushqim, dhe veshje”.

Kush i lexon natën dy ajetet e fundit të sures Bekare i mjaftojnë ato nga sherret. Kush i ha shtatë hurma nga lloji axhve, e mbrojnë nga sihri. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ha në mëngjes shtatë hurma të llojit axhve, në atë ditë nuk do t’i bëjë dëm, as helmi, e as sihri”.

Jeni të kujdesshëm nga mëkatet, dhe llojet muzikës, dhe veglave muzikore. Ato janë sebepi kryesor për afrimin e shejtanëve në shtëpi. Nëse njeriu i largohet përmendjes së Allahut, atëherë shumë lehtë i afrohen shejtanët dhe e dëmtojnë. Për këtë arsye shpeshtoni leximin e Kuranit, merruni me adhurime.

Kurani është shërim nga të gjitha sëmundjet, kurse përmendja e Allahut e mbron robin nga çdo gjë që donë ta dëmton, dhe ia zgjeron gjoksin dhe ia qetëson zemrën: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. Rad 28.

Shkëputur nga artikulli:

KRIMI I SIHRIT (MAGJISË) – SHEJH DR. ABDULMUHSIN EL KASIM

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

About Tema