Home / Tema Islame / Akide / DASHURIA E ALLAHUT DHE TË DËRGUARIT TË TIJ, LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

DASHURIA E ALLAHUT DHE TË DËRGUARIT TË TIJ, LAVDIA DHE PAQJA E ALLAHUT QOFSHIN MBI TË

 

O ju njerëz, frikojuni Allahut! Nënshtrojuni Atij me dashuri dhe me respekt, duke shpresuar në shpërblimet e Tij dhe duke u frikuar nga ndëshkimi i Tij. Ai është Allahu, të Cilin zemrat e adhurojnë me dashuri dhe respekt. Nëse nga natyra e zemrës është që ta donë atë që sillet mirë me të, atëherë për çdo mirësi dhe për çdo begati, themi se burimi i tyre është Allahu i Madhëruar: “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu”. Nahl 53. Pra robi, detyrohet ta donë Atë pa kufi dhe ta adhuron vetëm se Atë, i Cili nuk ka shok dhe ortak.

Dashuria e robit ndaj Allahut ka shenja të cilat aludojnë në të. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. Ali Imran 31.

Nga shenjat se robi e donë Allahun, është pasimi i të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Të punon me atë që urdhëroi dhe të largohet nga ajo që ndaloi: “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua”. Kurse ai i cili pretendon se e donë Allahun, dhe në anën tjetër e kundërshton të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai është rrenacak në atë që e pretendon. Disa nga të parët tanë thanë: “Disa nga njerëzit pretenduan dashurinë ndaj Allahut, dhe Allahu e zbriti ajetin e dashurisë: “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua”. Kurse ajeti: “që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!”, është fryti i dashurisë së Allahut dhe dobia e saj, që do të thotë, se ai që e donë Allahun, edhe Allahu ia kthen atë dashuri dhe ia falë gjynahet atij.

Allahu thotë: “O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur”. Maide 54.

Në këtë ajet fisnik, Allahu përmendi se dashuria e robit ndaj Zotit të tij i përmban katër shenja:

E para:  Të jetë i përulur me besimtarët, që do të thotë, të jetë i butë dhe i mëshirshëm me ta dhe bamirës ndaj tyre.

E dyta: Të jetë i ashpër me femohuesit, që do të thotë, të jetë i rreptë me ta dhe t’i urren fort, ashtu si tha Allahu i Madhëruar: “janë të ashpër ndaj jobesimtarëve”. Fet’h 29.

E treta: Të lufton në rrugë të Allahut, me shpirt, me pasuri, me gjuhë dhe me zemër.

E katërta: Të mos i trembet qortimit të asnjë qortuesi, që do të thotë, se tek ai nuk ndikon qortimi i njerëzve nga ajo që e jep nga xhihadi, dhe thirrja në fe, dhe thirrja në të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Pra, atë nuk e pengon asgjë që ta vazhdon atë rrugë.

Po ashtu nga shenja e sinqeritet të dashurisë së robit ndaj Allahut, është t’i japë përparësi asaj që e donë Allahu, para asaj që e donë shpirti i tij dhe anon kah ajo epshi i tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”. Teube 24.

Allahu e  urdhëroi të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, t’i kërcënohet atij që i jep përparësi dashurisë së pasurisë, familjes, farefisit, tregtisë, shtëpisë, para dashurisë së Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe veprave të cilat i detyroi dhe i donë vet Ai, si xhihadi, hixhreti, etj.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Nëse këto gjëra janë: “më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni”, d.m.th. pritni se çfarë dënimi do t’ju vjen. Kjo është arsyeja se pse të parët tanë nga ensarët dhe muhaxhirët dhe ata që i pasuan me të mirë, i dhanë përparësi asaj që e donë Allahu, para asaj që e donë shpirti i tyre. Ata e flijuan veten dhe pasurinë për luftë në rrugë të Allahut, i lanë shtëpitë dhe vatanin që ta kënaqin Allahun dhe t’i ndihmojnë të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Allahu tha për ta: “Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë”. Hashër 8. Krahasojeni gjendjen tonë me gjendjen e tyre të sinqertëve. Shumica nga ne i jep përparësi epshit karshi nënshtrimit ndaj Allahut. Nëse thërritet për në namaz në xhami, i jep përparësi gjumit apo dëfrimit, apo pushimit, dhe nuk del për në namaz dhe nuk i përgjigjet thirrjes së Allahut, po i përgjigjet thirrjes së shejtanit dhe epshit të vet. Nëse thirret për në namaz, duke qenë ai në tregtinë e vet apo në punë, i jep përparësi nevojave të dynjasë para atyre të ahiretit, bën shitblerje për çështje të dynjasë dhe nuk shkon në xhami për namaz dhe i bën mëkat Zotit të tij: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë!”. Xhumua 9.

Tregtari, i cili e fiton pasurinë nëpërmjet rrugëve të ndaluara, si kamata, ryshfeti dhe gënjeshtra, vetëm se i ka dhënë përparësi dashurisë së pasurisë karshi dashurisë së Allahut dhe e ka harruar fjalën e Allahut: “Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. E Allahut është trashëgimia e qiejve dhe e Tokës dhe Allahu e di mirë ç’punoni ju”. Ali Imran 180.

Prindi kur urdhërohet t’i detyron fëmijët e tij ta falin namazin dhe të prezantojnë në xhami dhe t’i shpëtojnë nga zjarri i Xhehenemit, ashtu si tha Allahu: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”. Tehrim 6, dhe po ashtu i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz kur t’i kenë shtatë vjet, kurse detyroni me forcë (rrihni) kur t’i bëjnë dhjetë vjet..”, dhe ai aspak nuk mërzitet me këto urdhëresa dhe i len fëmijët të dëfrehen dhe të lozin nëpër shtëpi dhe të mos prezantojnë në namaz dhe në xhami, ai vetëm se i ka dhënë përparësi dashurisë së fëmijëve karshi asaj të Allahut. Lënia e fëmijëve në atë gjendje, dhe mos zemërimi i tij  për lënien e namazit, dhe mosinteresimi i tij për atë se fëmija nuk i përfill detyrimet dhe i bën gjynah Allahut, aludon në atë se dashuria ndaj fëmijëve është më e fortë se sa ajo e Allahut.

Kur Ibrahimi, alejhi selam, u urdhërua të flijon të birin për hir të Allahut, të cilin ia kishte pas dhuruar pas shumë viteve, ai nuk hezitoi aspak që t’i përgjigjet thirrjes dhe urdhrit të Allahut. Kur doli në shesh nijeti i tij i sinqertë, Allahu ia zëvendësoi urdhrin me therjen e një kurbani nga delet, dhe e përgëzoi me lindjen e një fëmije, me Is’hakun, alejhi selam, dhe pas tij me lindjen e Jakupit, alejhi selam. Kjo e tëra erdhi nga bereqeti i nënshtrimit të urdhrave të Allahut, dhe nga dhënia përparësi dashurisë së Allahut karshi asaj të fëmijëve.

O ju robërit e Allahut, ashtu si detyrohet dashuria ndaj Allahut, detyrohet dashuria edhe ndaj të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi ty. Ajo është pasuese e dashurisë së Allahut dhe pjesë e patjetërsueshme e saj. Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka besuar askush nga ju, derisa të bëhem më i dashur për të se sa prindërit, fëmijët dhe mbarë njerëzimi”.

Shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij se Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: Për Zotin, ti je më i dashur tek unë se çdo gjë me përjashtim të vetes sime. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Jo, pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të jesh besimtarë i mirë përderisa unë të mos jem edhe më i dashur se sa vetja jote”. Omeri tha: Tani o i Dërguari i Allahut je edhe më i dashur se sa vetja ime. “Tani o Omer (u plotësua besimi yt)”. Ia ktheu Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Muhamedi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është ai i cili na mësoi mirësinë dhe na udhëzoi kah ajo, dhe na mësoi rrugën e shpëtimit dhe të lumturisë, dhe na paralajmëroi nga sherri dhe shkatërrimi. Besimi në të e bën të detyruar pasimin dhe nënshtrimin, dhe ai që e pretendon dashurinë pa mos e pasuar atë, apo ai që e pretendon dashurinë e tij dhe nuk kapet për traditën e tij dhe nuk e len risinë, ai është rrenacak në atë që e pretendon, ngase dashuria ndaj tij, e bën të detyruar që të veprohet ajo në të cilën ai urdhëroi, dhe e bën të detyruar largimin nga ajo që ndaloi. Allahu tha: Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut”. Nisa 80. Pra ai që e pretendon dashurinë dhe e kundërshton traditën e tij, dhe punon me risi e lajthitje, ai është rrenacak në atë që e pretendon.

Shenjë tjetër që aludon në atë se robi e donë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është ta donë atë që e donë Allahu dhe i Dërguari i Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Allahu i donë bamirësit, i donë të devotshmit, i donë të penduarit dhe i donë të pastruarit. Kurani dhe Syneti janë të stërmbushura me përmendjen e asaj që e donë Allahu nga besimtarët dhe nga veprat e tyre dhe nga morali i tyre.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Te cili gjinden tre gjëra do të shijon ëmbëlsinë e besimit: ta do Allahun dhe Pejgamberin ma shumë se çdo gjë; ta do një njeri vetëm për hir të Allahut dhe të urren të kthehet në kufër ashtu siç urren të hedhet në zjarr”.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kush donë për Allah, dhe urren për Allah, dhe miqëson për Allah, dhe armiqëson për Allah, me këtë e arrin miqësinë e Allahut. Nuk mundesh të gjesh rob i cili e shijoi ëmbëlsinë e imanit, edhe nëse ai nga namazi dhe agjërimi ka bagazh të madh, derisa të realizohet ajo. Shumica e njerëzve vëllazërinë e bëjnë për dynja dhe për këtë arsye nuk gjejnë asgjë në shpirtrat e tyre”.

Pra ai që e donë Allahun, donë për hir të Tij, miqëson për hir të Tij, urren për hir të Tij dhe i armiqëson armiqtë e Tij. Ai i cili është kështu, atëherë Allahu do ta miqëson, dhe ai që nuk është kështu, Allahu nuk e miqëson, dhe kur Allahu nuk e miqëson, atëherë e miqësojnë armiqtë e Tij. Allahu i Madhëruar thotë. Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë. Këta janë banorët e Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë”. Bekare 257.

Nga shenjat që aludojnë në dashurinë e Allahut, është urrejtja e asaj që e urren Allahu nga njerëzit dhe veprat dhe thëniet.

Allahu i Madhëruar thotë. “Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!”. Llokman 18, dhe thotë: “Allahu nuk i do punëmbrapshtët”. Ali Imran 57, dhe thotë. Allahu nuk e do shkatërrimin”. Bekare 205.

Besimtari i cili e donë Allahun detyrohet ta urren atë që e urren Allahu.

Allahu thotë: “O besimtarë, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajët, duke u shprehur atyre dashuri”. Mumtehine 1, dhe poashtu thotë. “O besimtarë, mos i bëni miq ata njerëz me të cilët Allahu është i zemëruar”. Mumtehine 13, dhe tha: “Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre”. Muxhadile 22.

Në këto ajete, Allahu e detyroi urrejtjen e armiqve të Allahut, nga jobesimtarët e hipokritët dhe mendjemëdhenjtë, edhe po të ishin ata nga më të afërmit e farefisi. Po ashtu Allahu ua detyroi besimtarëve urrejtjen e gjynaheve, dhe mëkateve, dhe të ligës, e të keqes, ngase Allahu ato i urren.

Dijeni se çdo dashuri e cila është e krijuar mbi mëkat ndaj Allahut, do të shndërrohet në armiqësi Ditën e Kiametit.

Allahu thotë. “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun”. Zuhruf 67, dhe thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës”. Furkan 27-29.

Për këtë arsye njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm se më kë po shoqërohet, ngase njeriu do të jetë me atë qe donë Ditën e Kiametit.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, i numëroi dhjetë shkaqe  të cilat ta mundësojnë ta arrish dashurinë e Allahut:

1. Leximi i Kuranit dhe meditimi i tij.

2. Afrimi kah Allahu me vepra vullnetare, pasi të kryhen farzet.

3. Vazhdimi i përmendjes së Allahut me zemër, gjuhë dhe vepër.

4. Dhënia përparësi dashurisë së Allahut karshi dashurisë së shpirtit.

5. Meditimi në emrat dhe cilësitë e Allahut. Ai që e njeh Allahun me emrat dhe cilësitë e Tij dhe veprimtarinë e Tij, s’ka dyshim se do ta donë Allahun.

6. Meditimi në begatitë e Allahut. Nuk ka dyshim se meditimi në t,o nxit në dashurinë e krijuesit të tyre.

7. Përulja e zemrës para Allahut të Madhëruar.

8. Vetmia me Allahun në kohën kur zbret Allahu, në pjesën e tretë të natës, duke lexuar Kuran apo duke iu lutur për falje dhe mëshirë.

9. Ndeja me njerëz të devotshëm dhe të mirë dhe shoqërimi i tyre.

10. Largimi nga çdo gjë që mundet të ndërhyn mes robit dhe Allahut.

Kapuni për këto shkaqe me qëllim që ta arrini dashurinë e Allahut të Madhëruar dhe t’ju largoni të kundërtës së saj!

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja. Irfan JAHIU

 

 

 

 

 

About Tema