Home / Tema Islame / Akide / VLERA E BESIMIT NË FSHEHTËSINË – GAJBIN DHE KUPTIMI I TIJ

VLERA E BESIMIT NË FSHEHTËSINË – GAJBIN DHE KUPTIMI I TIJ

Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri musliman dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se imani është cilësia dalluese e fitimtarëve nga atyre të humburve në mesin e bijve të Ademit. Allahu i Madhëruar thotë: Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. Asr 1-3.

Katër cilësi janë shpëtuese nga humbja e vërtet: Imani, vepra e mirë, këshilla në të vërtetën dhe këshilla në durim.

Nuk arrihet deri tek imani me shpresa apo me pretendime dhe prejardhje por imani është ajo që ngulitet në zemër dhe e vërtetojnë veprat. Imani është besim me zemër, të shprehurit me gjuhë dhe vepër e gjymtyrëve, shtohet me nënshtrime dhe dobësohet me gjynahe.

Një nga veçoritë më të mëdha të imanit është imani në fshehtësitë (gajbin). Allahu i Madhëruar thotë: Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne“. Bekare 2-3.

Me besim në fshehtësinë – gajbin e nënkuptojmë atë që ti nuk e sheh mirëpo i beson thellësisht duke iu mbështetur lajmeve të sakta të arritura nga ana Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Muslimani beson në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, beson në Ditën e Kiametit dhe i beson caktimit të Allahut, në të mirën dhe të keqen e tij. Poashtu i beson të gjithë asaj që e ka paralajmëruar Allahu dhe i Dërguari Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nga ngjarjet e mëhershme dhe ato që do të ndodhin më vonë, nga lajmet e të Dërguarve dhe popujve të mëhershëm, dhe nga ajo që do të ndodhë nga shenjat e Kiametit si paraqitja e Dexhallit, zbritja e Isait, alejhi selam, dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, dalja e kafshës, lindja e diellit nga perëndimi dhe nga shenjat e tjera për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,  se do të  ndodhin para Kiametit. Muslimani poashtu i beson asaj që do të ndodhë në jetën e varrit nga dënimi dhe begatia në varr, beson në ringjalljen, llogarinë, peshoren, Xhenetin dhe Xhehenemin.

Ai për këtë qëllim përgatitet dhe vepron dhe çështjet nuk i neglizhon. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë”. Sad 26, dhe “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” Hashër 18.

Kush e stolis veten me këtë besim dhe në të është i bindur fort nuk e lejon që dynjaja ta preokupon e ta largon nga ky besim që pastaj të radhitet në mesin e atyre që për ta Allahu thotë: “Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar”. Eala 16 -17.

Allahu iu kërcënua rreptë atyre që e posedojnë këtë cilësi dhe tha: “Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote”. Naziat 37-38.

Besimtari nuk e lejon që dynjaja të ndikon në ahiretin e tij po ai dynjanë e shfrytëzon si arë ku në të mbjell dhe shpreson të korrurat t’i merr më vonë, për arsye se ai e din se kjo dynja është kalimtare dhe se ahireti është vendbanimi i tij i përhershëm. Pra Allahu besimtarit ia bashkon të mirat e dynjasë me ato të ahiretit, kurse jobesimtarit ia humb dynjanë dhe ahiretin.  Allahu i Madhëruar thotë: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë”. Haxh 11.

Abdurrahman ibën Zejd ibën Eslem, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se këto janë cilësi të hipokritit, të cilit kur i përmisohet dynjaja merret me adhurime e kur i shkatërrohet dynjaja atëherë i ndryshohet zemra dhe nuk i afrohet adhurimeve kurse kur e kaplon ndonjë sprovë apo vështirësi atëherë e len fenë dhe i kthehet mosbesimit.

Nga besimi në fshehtësitë është që besimtari të vepron me sheriatin e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe t’i nënshtrohet atij edhe pse nuk e takuar asnjëherë. Disa nga sahabët i thanë të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “A ka popull i cili ka shpërblime më shumë se ne. I besuam Allahut dhe të pasuam ty. Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Çka ju pengon nga kjo? Të Dërguarin e Allahut e keni në mesin e juaj i cili ju vjen me shpallje nga ana e Allahut. Po pas jush do të vijnë popuj që do t’ju sillet Libri mes dy pllakave i besojnë atij dhe veprojnë me të. Ata kanë dyfish më shumë shpërblime se sa ju”.

Në një hadith tjetër përcillet se ai që kapet për fenë e tij gjatë periudhës së sprovave e ka shpërblimin e pesëdhjetë sahabëve. Ebu Thalebe el Hashenij, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e pyeti të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, rreth ajetit: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar”. Maide 105 dhe i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Urdhëroni të mirën dhe ndaloni nga e keqja, derisa ju të shihni të ndiqen epshet dhe të preferohet dynjaja (më shumë se ahireti) dhe secili njeri do të mashtrohet nga mendimet e tij personale. Kujdesuni për veten tuaj dhe largohuni nga njerëzit e zakonshëm sepse ta dini që pas jush do të ketë ditë durimi, në ato ditë kush kapet për fenë Allahut është njëlloj sikur të mbajë prushin në dorë. Kush është i aftë ta bëjë këtë (të durojë) do të ketë shpërblimin e 50 personave.

 Sahabët pyetën: O i Dërguari i Allahut, shpërblimin e 50 nga ne apo nga ata? Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Shpërblimin e 50 nga ju.  

Ebu Hurejra, Allahu qoftë kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë. “Ai që kapet për traditën time gjatë periudhës kur shkatërrohet Umeti im e ka shpërblimin e dëshmorit”.

Besimi në fshehtësinë – gajbin poashtu e përfshin edhe atë që i nënshtrohet Allahut dhe veprën e ka të sinqertë për Allah pa marrë parasysh a vepron në mesin e njerëzve apo në vetmi. Allahu i Madhëruar thotë: Vërtet, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh”. Mulk 12, dhe “që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu)“. Kaf 33.

Këto cilësi janë të krejtësisht të kundërta me ato të munafikut i cili paraqitet se e adhuron Allahun në publik kurse kur vetmohet e mohon Zotin e tij. Allahu thotë: “Kur takohen me besimtarët, ata thonë “Besojmë”– por, kur mbesin vetëm me djajtë e tyre, thonë: “Në të vërtetë, ne jemi me ju; ne vetëm po talleshim”. Bekare 14.

Besimi në të fshehtën e dallon njeriun që logjikon dhe ka mendje nga njeriu shtazarak i cili nuk beson përveç se atë që e percepton dhe e sheh. Ky i përngjason besimit të kafshëve i cili nuk e dallon me diçka njeriun nga kafshët dhe nuk i bën kurrfarë dobie. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe, kur panë dënimin Tonë, ata thanë: “Tani ne nuk besojmë në askënd tjetër veç Allahut dhe i mohojmë idhujt që ia shoqëronim Atij (në adhurim)“. Por besimi i tyre nuk u solli kurrfarë dobie, kur panë dënimin Tonë. I tillë është ligji i Allahut, që ka vepruar gjithmonë midis robërve të Tij. Të humbur kanë qenë jobesimtarët“. Gafir 84 -85.

Faraoni kur e pa se po fundoset tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët”. Junus 90, kurse Allahu iu përgjigj: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!“. Junus 91.

Ky është ligji i Allahut mbi secilin i cili pendohet kur e sheh se i vjen dënimi i tij mirëpo atëherë është vonë dhe pendimi i tij nuk pranohet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë. “Me të vërtet, Allahu i Lartësuar ia pranon  pendesën robit përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt”. Pra robit kur i vjen shpirti në fyt dhe i afrohet meleku i vdekjes më atëherë për të nuk ka pendim, pendimi i tij nuk pranohet.

O ju robërit e Allahut, për këtë arsye frikojuni Allahut dhe dijeni se Allahu i Lartësuar thotë: O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun. Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur. Fatir 5-6.

SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN

Nga arabishtja: Irfan JAHIU  

 

 

About Tema