Home / Tema Islame / Akide / FUQIZIMI I VETËDIJES SË MBIKËQYRJES HYJNORE

FUQIZIMI I VETËDIJES SË MBIKËQYRJES HYJNORE

Vetëdija e mbikëqyrjes hyjnore është dyllojëshe:

Lloji i parë: Mbikëqyrja jote kundrejt Allahut, azze ue xhel.

Lloji i dytë: Mbikëqyrja e Allahut kundrejt robit të Tij, siç e cekë edhe Allahu, azze ue xhel, në Kuran: Allahu është mbikëqyrës për çdo gjë.Ahzab 52.

Sa i përket llojit të parë qëllimi i tij është ti ta kuptosh se Allahu e di çdo send që e thua, e vepron apo beson. Allahu, azze ue xhel, thotë: Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.” Shuara 217-219. Ajeti na bën me dije se ti kur ngritësh natën i vetmuar në një vend të errët ku nuk të sheh askush, fillon ta falsh namazin dhe të përulesh në sexhde, dije se Allahu të gjitha lëvizjet e tua i përcjell dhe i mbikëqyr.

Poashtu prej mbikëqyrjes tënde kundrejt Allahut është ta dish se Allahu të dëgjon. Çdo fjalë çka e flet qoftë e mirë apo e keqe dije se Allahu e dëgjon: “Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë.” Zuhruf 80.

Mëso prej këtij ajeti se të gjitha thëniet tua qofshin të mira apo të këqija, të fshehta apo të zbuluara, do të jenë dëshmi për teje ose kundër teje: “Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” Kaf 18.

Merre këtë çështje me seriozitet dhe i mjeri ti nëse flet fjalë jo të hijshme se për to do të japësh llogari ditën e Kiametit. Mësoje gjuhën tënde të flet fjalë të mira dhe të vërteta ose të hesht, ashtu siç na mësoi Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, në një hadith të vërtet: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Fundit le të flet mirë ose le të hesht.”

 Poashtu mos harro ta mbikëqyrësh Allahun në zemrën tënde. Shiko në zemrën tënde se a gjendet ndonjë lloj i shirkut apo hipokrizisë, apo devijim, apo armiqësi dhe urrejtje ndaj besimtarëve dhe dashuri ndaj jobesimtarëve, apo gjëra të ngjashme të cilat nuk e kënaqin Allahun, azze ue xhel?

Mbikëqyre Allahun në veprat tua, në thëniet tua dhe në zemrën tënde, deri sa të plotësohet mbikëqyrja jote. Për këtë shkak kur u pyet Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, mbi mirësinë (ihsanin), u përgjigj: Ta adhurosh Alla­hun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.”

Adhuroje Allahun sikur se ta shohësh para teje me pamje okulare, dhe në rast se nuk e sheh atëherë zbrit në shkallën e dytë: “Ai vërtet të sheh ty.”

E para është adhurim dëshire, ta adhurosh Allahun sikur se ta shohësh, ndërsa e dyta është adhurim frike, dhe për atë shkak tha: “sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.”

Allahu, azze ue xhel, është kudo me robërit e Tij: “Ai është me ju kudo që të gjendeni” Hadid 4. Në tokë, në det, në ajër, në errësirë, në dritë, dhe në çdo gjendje. Kjo aludon në përsosmërinë e përfshirjes së Allahut kundrejt nesh me dituri, me fuqi, me pozitë, me drejtim, etj. Mirëpo kjo nuk duhet nënkuptuar se Allahu është me ne në të njëjtin vend në tokë, sepse Ai është mbi të gjitha. Vendqëndrimi i Qenies së Tij është mbi shtatë qiejt mbi Arsh, ndërsa në tokë është prezent me dijen e Tij: “I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).” Taha 5, “Ai është i Sunduesi mbi robërit e Vet; Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka.” Enam 18, “Ai është i Larti, Madhështori” Bekare 255, “Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit” Eala 1, “A jeni të sigurt se kush është në qiell” Mulk 16.

Atij poashtu nuk i fshihet asgjë në tokë dhe as në qiell: “Pa dyshim, Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell!Ali Imran 5. Këtë e sqaroi në një ajet tjetër ku thotë: “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” Enam 59.

Prej këtyre fjalëve çka i cekëm na bëhet me dije se fuqizimi i vetëdijes së mbikëqyrjes hyjnore në shpirtin e muslimanit është e domosdoshme dhe çdo neglizhencë e jona rreth saj është humbje dhe shkatërrim.

Le t’i kthehemi historive të popujve të mëhershëm të cilat na i rrëfeu Kurani dhe Suneti. Allahu, azze ue xhel, na njoftoi për popullin e Adit, Themudit, Faraonit dhe shumë popujve të tjerë të cilëve i kishte dhuruar shumë të mira, duke filluar prej trupave të tyre, e pastaj vendbanimeve dhe bagëtive. Mirëpo, krahas të gjitha këtyre begative që i kishin, ata të gjitha i mohuan duke i bërë së pari shirk Allahut e pastaj duke i luftuar edhe të dërguarit e Tij. Harruan se Allahu i mbikëqyr veprat e tyre dhe u bën kryelartë në tokë. E merituan dënimin e Allahut ashtu siç e meriton çdo zullumqar dhe prej gjurmëve të tyre nuk mbeti asgjë.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit.” Fexhër 7-13, dhe në fund e përfundoi ajetin duke thënë: “Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!” Fexhër 14.

Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, poashtu na njoftoi me disa ngjarje të cilat e trajtojnë këtë temë dhe na bëri me dije se sa e rëndësishme është fuqizimi i kësaj vetëdije në shpirtin e muslimanit. Prej këtyre ngjarjeve mund ta veçojmë hadithin të cilin na e përcjell Ebu Hurejra, radijallahu anhu, prej Pejgamberit, sal-allahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Tre njerëz nga Beni Israilët, Allahu, azze ue xhel, dëshiroi t’i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan, kur­se i treti i verbër. Allahu ua dërgoi një melaqe, i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë: Çdo të dëshiroje më së shumti? Tha: Më së shumti do të dëshiroja të kem ngjy­rë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit. Meleku e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të trupit). (Pastaj meleku) Tha: Cilën pasuri dëshiron më së shumti? Tha: Devetë – ose lopët (nuk i kujtohet saktë tran­s­metuesit), ai ia jep një deve barsë dhe i thotë: Allahu të bekoftë me të! Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: Çdo të dëshiroje më së shumti? (Qelani) Tha: Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë. Meleku e fërkon dhe ai shërohet e i jepen flokë të bukur. (Meleku) Tha: Cilën pa­suri dëshiron më së shumti? (Qelani) Tha: Lopët. Meleku ia jep një lopë barsë dhe i thotë: Allahu të bekoftë me te.” Meleku i shkon të verbërit e i thotë: Çdo të dëshiroje më së shumti? (I verbëri) Tha: Të ma kthejë Allahu shikimin, që t’i shoh njerë­zit.” Meleku e fërkon dhe Allahu ia kthen shikimin. (Meleku) Tha: Cilën pasuri e dëshiron më së shumëti? (I verbëri) Tha: Dhentë! Meleku ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit, kështu që njëri (zgjebani) bëri një luginë me deve, i dyti (qe­lani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbëri) bëri një luginë me dele. Pas kësaj meleku i vjen zgjebanit në formën dhe pamjen  e tij të mëparshme e i thot­ë: Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut, pastaj ti, andaj po të lu­tem në emrin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta va­zhdoj rrugën. (Ish zgjebani, tani pasanik) Tha: Jo, unë kam shumë obligime (borxhe).” (Meleku) I tha: Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin Allahu e ka pasuruar?” Tha: “Unë  këtë pasuri e kam tra­shëguar nga të parët e mëdhenj.” Meleku i tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë Allahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!”

Meleku pastaj i shkon qelanit, por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme, e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i për­gjigjet ashtu siç iu pat përgjigjur zgjebani. Meleku i tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë Allahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!”

Pastaj meleku i shkon ish të verbërit, por në formën dhe pam­jen e tij të mëparshme, dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur penjtë në udhëtimin tim, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç Allahut, pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer të parët, më jep një dele, që të ndihmohem me te dhe të vazhdoj rrugën.” (Ish i verbri) Tha: Vërtet unë kam qenë i ver­bër, por Allahu ma ka kthyer të parët. Merr vëlla çka të duash dhe lër çka të duash! Pasha Allahun, asgjë sot nuk të ndaloj të ma­rrësh në emër të Allahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. Meleku i tha: Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të spro­vuar. Allahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu. (Buhariu dhe Muslimi).

Muslimanit nuk i mbetet asgjë tjetër vetëm se të jetë i vetëdijshëm se Allahu e mbikëqyrë dhe se ai duhet t’i frikësohet në vetmi ashtu si i frikësohet në publik. Bile ai i cili i frikohet Allahut në vetmi më shumë se haptazi, ai është i begatuar, për shkak se frika në vetmi është më e sinqertë krahas asaj e cila shfaqet në publik dhe prej të cilës mund të sprovohesh me hipokrizi.

Prandaj ti o vëlla musliman kujdesu që t’i zbatosh urdhëresat dhe të largohesh prej ndalesave dhe e lus Allahun që të na mundëson këtë, se në rast se nuk na ndihmon atëherë ne do të jemi të braktisur prej mëshirës së Tij, siç thotë Allahu, azze ue xhel: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” Fatiha 5.

Kur begatohet robi me udhëzim dhe ndihmë sipas kornizave të sheriatit, atëherë ky është ai të cilin Allahu e ka begatuar me të mirat e Tij.

MUHAMED IBËN SALIH EL UTHEJMIN     

Nga arabishtja: IRFAN JAHIU  

 

 

 

About Tema