Home / Tema Islame / Akide / PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT ALEJHI SALATU UE SELAM DHE EMRAT E TIJ

PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT ALEJHI SALATU UE SELAM DHE EMRAT E TIJ

Detyrim i çdo muslimani është që ta njohë të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, ta njohë prejardhjen e tij fisnike, vendlindjen e tij fisnike, pamjen e tij të bukur, virtytet e tij bujare, etj, dhe çdo herë që shtohet dija e muslimanit mbi të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, aq më shumë i shtohet dashuria ndaj të Dërguarit të tij, alejhi salatu ue selam, e pason më shumë traditën e tij dhe i nënshtrohet sheriatit të tij. Në këtë na nxiti dhe na këshilloi Allahu i Madhëruar dhe tha: Thuaj (o Muhamed): “Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur”. Sebe 46.

Allahu i Madhëruar na lajmëroi se jobesimtarët po të kishin gjykuar në sinqeritetin dhe besnikërinë e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe në atë që u dallonte ai nga besnikëria para shpalljes  dhe po ta kishin njohur fisnikërinë e  prejardhjes dhe vendlindjes së tij, do t’i besonin atij, dhe për këtë arsye Allahu tha: “Apo ata nuk e kanë njohur të Dërguarin e tyre, prandaj e mohojnë atë?”. Muminun 69.

Mjaftonte që vetëm ta shikosh një herë në fytyrën e tij fisnike dhe të bindesh në sinqeritetin e tij. Kjo edhe ndodhi me Abdullah ibën Selam kur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, bëri hixhret për në Medine, e shikoi në fytyrën e tij dhe i tha: “Unë dëshmoj se fytyra jote nuk është fytyrë gënjeshtari”.

Nëse shenjat e devotshmërisë dhe dritës së besimit paraqiten në fytyrat e njerëzve të mirë dhe të devotshmëve, atëherë si është me më të mirin e të devotshmëve dhe imamin e tyre, Muhamedin, alejhi salatu ue selam. Për këtë arsye muslimani detyrohet ta njeh të Dërguarin e tij, alejhi salatu ue selam, derisa ta njeh vlerën e tij dhe të vepron me atë që detyrohet ndaj tij, alejhi salatu ue selam.

Imam Tahaviu, Allahu e mëshiroftë, duke e qartësuar se si duhet të jetë besimi i muslimanit në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Muslimani duhet të beson se Muhamedi është robi i Allahut i zgjedhur, Lajmëtari i Tij dhe i Dërguari i Tij i  dalluar, vula e Pejgamberëve, imam i të devotshmëve, zotëria i të Dërguarve, i dashuri i Zotit të botëve, dhe çdo pretendim i Profecisë pas tij është e kotë dhe pabazë dhe ai është i Dërguar i njerëzve dhe xhindeve me të vërtetën dhe udhëzim  dhe me dritë dhe me shkëlqim”.

Çdo gjë në të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, thërret në dashurinë e tij, ai është njeriu me prejardhje më të ndershme dhe poashtu të Dërguarit, ata janë me prejardhje më të ndershme në mesin e njerëzve. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thonte: “Allahu dalloi fisin Kinan nga bijtë e Ismailit, dalloi fisin Kurejsh nga Kinanët, nga Kurejshët dalloi lozën e Hashimit, kurse mua më dalloi nga familja Beni Hashim”.

Ibën Halduni, Allahu e mëshiroftë, e cek në fjalimin e tij rreth shenjave të Profecisë se nga shenjat e tyre poashtu është të jenë me origjinë më fisnike në mesin e popujve të tyre.

Hirakli kur e pyeti Ebu Sufjanin për origjinën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Sufjani iu përgjigj se ai në mesin tonë është me prejardhje më të ndershme. Atëherë Hirakli i tha se unë të pyeta për origjinën e tij dhe e përmende se ai është me i miri në mesin e juaj, kështu janë të Dërguarit e Allahut, më të mirët me origjinë në mesin e popujve të tyre.

Baballarët e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, ose kanë qenë Pejgamber si Ibrahim dhe Ismaili, alejhim selam, ose burra me pozita dhe me nder të lartë në mesin e popujve të tyre.

Umu Hani, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu i dalloi Kurejshët nga të tjerët me shtatë veçori që nuk i janë dhënë askujt para tyre dhe as do t’i jepen dikujt pas tyre: Pejgamberia është tek ata, hilafeti është tek ata, veshja e Qabesë është tek ata, dhënia ujë haxhilerëve është tek ata, ngadhënjyen me ndihmën e Allahut ndaj ushtrisë së pronarëve të elefantëve dhe të vetmit ata e adhuruan Zotin për shatë vjet, (në një transmetim tjetër për dhjetë vjet), kur të tjerët nuk e adhuronin (fjala është për të parët në Islam si Ebu Bekri, Aliu, etj.), dhe enkas për ta, pra Kurejshët, ka zbritur një kaptinë e posaçme nga Kurani, në të cilën nuk përmendet askush tjetër përveç tyre: “(Shkatërrimin e njerëzve të elefantit Allahu e bëri) për të mbrojtur fisin Kurejsh”. Kurejsh 1.

Ai, alejhi salatu ue selam, është Ebu Kasim Muhamed ibën Abdullah ibën Abdul Mutalib ibën Hashim ibën Abdumenaf  ibën Kusaj ibën Kilab ibën Mureh ibën Kab ibën Luej ibën Galib ibën Fahër – i quajtur Kurejsh, sipas tij, fisi mori emrin, ibën Malik ibën Nadar ibën Kenaneh ibën Huzejme ibën Mudrikeh ibën Ilijas ibën Mudar ibën Nazar ibën Mead ibën Adnan. Kurse Adnani padyshim se është prej bijve të Ismailit birit të Ibrahimit, alejhim selam.

Vendlindja e tij është Mekja, vendi më fisnik në tokë dhe vendi më i dashur tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij, alejhi salatu ue selam, dhe namazi në Harem është i barabartë me njëqind mijë namaze në xhamitë tjera përveç xhamisë së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në Medine dhe xhamisë së Aksas.

Kurse sa i takon emrave të tij, alejhi salatu ue selam, thuhet se i ka nëntëdhjetë e nëntë emra.

Xhubejr ibën Mutim përcjell nga baba i tij, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam,  ka thënë: “Unë i kam pesë emra. Unë jam Muhamed, Ahmed, El-Mahi- Ai me të cilin Allahu e fshin kufrin, El-Hashir- personi në shenjat e këmbëve të të cilit Allahu do t’i ngjallë njerëzimin, El-Akib-pas të cilit nuk ka profet tjetër”.

Nga emrat e tij që janë përmendur në Kuran janë. “I mëshirshëm, pishtarë ndriçues, përgëzues, qortues, thirrës kah Allahu, besnik, i mbuluar, i mbështjellur, udhëzues, i sinqertë, i Dërguar i pendimit, i Dërguar i mëshirës, etj”.

Nofka e tij ishte Ebu Kasim (Baba i Kasimit) sipas emrit të djalit të tij të madh i cili ishte më i madhi nga fëmijët dhe i cili vdiq para shpalljes dhe kjo nofkë nuk futet në mesin e emrave të tij.

Përcjell Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ishte në treg dhe një njeri i tha: O Ebu Kasim. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u kthye dhe i tha. “Vini emrin tim, por mos vini nofkën time”.

Kurse sa i takon grave të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, numri i dakorduar rreth grave të tij është njëmbëdhjete. Dy prej tyre kanë vdekur duke qenë i gjallë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dhe emrat e tyre janë : Hatixhe, Seuda, Aishe, Umu Habibe, Umu Seleme, Zejneb bint Xhehsh, Mejmuneh, Xhuvejrijeh, Safijeh, dhe dy ishin robëresha Marija dhe Rejhaneh bint Zejd dhe thuhet bint Shemun, Allahu qoftë i kënaqur nga ato.  

 Kurse sa i takon fëmijëve të tij, alejhi salatu ue selam, ai i kishte shtatë fëmi, tre djem e katër vajza.

Djemtë ishin: Kasimi i cili ka qenë djali i parë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur përpara se t’i zbriste shpallja dhe ka vdekur duke qenë fëmijë, ndërsa disa thonë se ka jetuar deri në atë moshë kur ka mundur të kalërojë.

Abdullahu, ka qenë djali i dytë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur pas shpalljes së Islamit, dha ka vdekur qysh duke qenë fëmijë.

Ibrahimi, është djali i tretë i Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, i cili ka lindur në vitin e tetë hixhrij, dhe i cili ka vdekur si foshnje shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë muajsh.

Vajzat ishin: Zejnebi, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila ka qenë vajza më e madhe e Pejgamberit, alejhi salatu ue selem. Ka lindur pesë vite pas martesës së tij, ndërsa ka vdekur në fillim të vitit të tetë të hixhrij. Dhe e martoi Ebu As ibën Rebia, Allahu qoftë i kënaqur nga ai.  

Rukija, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, e cila ka lindur tre vite pas Zejnebit, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ndërsa ka vdekur në kohën e Betejës së Bedrit dhe ishte gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai.

Umu Kulthumi, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ka lindur pas Rukijes dhe ka vdekur në vitin e nëntë hixhrij dhe poashtu ka qenë gruaja e Othman ibën Afanit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai. .

Fatimja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, ka lindur pesë vite para shpalljes së Islamit, ndërsa ka vdekur gjashtë muaj pas vdekjes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, dhe është martuar me Aliun, Allahu qoftë i kënaqur nga ai.

 Kurse sa i takon pamjes së tij të bukur dhe cilësive të tij larta:

Ai, alejhi salatu ue selam, ishte i bukur dhe tërheqës. Me sy të zi, me shikim të thellë të rrethuar me qepalla të dendura dhe të gjata. Në zërin e tij ndihej ngjirje. Me qafë të gjatë. Symadh. Sysurmë. Me vetulla të gjata e të bukura, as të holla e as të trasha. Me flokë shumë të zeza. Kur heshte, u shquante qëndrimi i tij dinjitoz dhe maturia, e kur fliste, e frymëzonte shkëlqimi dhe eleganca. Njeriu më i bukur dhe më elegant prej së largu, e edhe më i bukur dhe më tërheqës prej së afërmi. Ka pasur gojë të bukur dhe sy të mëdhenj. Nuk ka qenë i trashë. Ka qenë shtat mesatar, shpatullgjerë. Flokët i kishte të gjata gjer te pulpat e veshëve. I kishte flokët gjysmë kaçurrela të zeza, si dhe mjekrën e dendur dhe të zezë. Më parë flokët i mbante të lëshuar, nga dëshira që t’i imitonte Pejgamberët e mëhershëm, e pastaj i mblidhte në kokë. Kur gëzohej, fytyra i shndriste sikur të ishte një copë hëne.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: “As ambrit as miskut nuk i vinte erë më e këndshme se e lëkurës së Muhamedit, alejhi salatu ue selam“.

Allahu i Madhëruar e ruajti dhe e mbrojti të Dërguarin e Tij, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, para shpalljes në fëmijërinë e tij nga fëlliqësirat e injorancës. U kujdes për të, e zgjodhi në mesin e njerëzve, ia ngriti vlerën dhe emrin dhe nga ajo mbrojtje ishte mbrojtja e tij nga idhujtaria dhe ai nuk e adhuroi askënd tjetër përveç Allahut. Përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i kishte pas thënë Hatixhes: “Oj Hatixhe, pasha Allahun nuk e adhuroj Latin dhe Uzën( dy idhuj që adhuroheshin nga Kurejshët)”.

Poashtu ai, alejhi salatu ue selam, nuk i hante kafshët të cilat thershin për idhujt e jo për Allahun.

Poashtu ai, alejhi salatu ue selam, para shpalljes qëndronte ditën e Arafatit në Arafat në kundërshtim me atë që e shpikën populli i tij nga mos qëndrimi i tyre në Arafat dhe më vonë edhe sheriati i Muhamedit, alejhi salatu ue selam, erdhi me ligjin e qëndrimit në Arafat ditën e Arafatit ashtu siç tha edhe Allahu i Madhëruar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët”. Bekare 199.

Xhubejr ibën Mutim, Allahu qoftë i kënaqur nga ai,  tregon: “Ditën e Arafatit më humbi deveja dhe dola për ta kërkuar, kur pashë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam,  duke qëndruar në Arafat. Thashë me vete: “Për Allah! Ai është nga Hums. Ç’do ai këtu? Ç’e ka sjellë atë këtu?”.

Poashtu Allahu e mbrojti nga shpalosja e pjesëve të turpshme apo të paraqitet lakuriq.

Xhabir ibën Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell dhe thotë: “Kur është rindërtuar Qabeja, ka shkuar Pejgamberi, alejhi salatu ue selam,  dhe Abbasi të bartin gurë, dhe Abbasi i ka thënë Pejgamberit, alejhi salatu ue selam: “Vëre një teshë në qafë”. Ai pastaj është rrëzuar për tokë i trullosur, me sy të drejtuar kah qielli dhe ka thënë: “Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia. Më jep pjesën e poshtme të teshave të mia”. Pastaj e shtrëngoi rreth vetes”.

Kurse sa i takon lindjes së tij, alejhi salatu ue selam: u lind në familjen Beni Hashim në Mekë, në mëngjesin e ditës së hënë, më nëntë rebiul evel, thuhet poashtu tetë, dhjetë, dymbëdhjetë, dhe në këtë të fundit anojnë shumica e dijetarëve, në vitin e parë të ngjarjes me “elefantin”, ose dyzet vjet pas sundimit të mbretit persian Kisras.

Gruaja që ndihmoi në lindjen e tij emërtoheshe me emrin Umu Ejmen kurse gruaja e parë që i ka dhënë gji, pas nënës së vet, ka qenë Thuvejbia, e mbrojtura e Ebu Lehebit.

I është thënë të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, se si është fillimi i çështjes tënde?

Është përgjigjur, alejhi salatu ue selam: “Unë jam lutja e Ibrahimit, përgëzimi i Isait, dhe nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”.

 Thënia e tij lutja e Ibrahimit, alejhi selam, është thënia e Allahut: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”. Bekare 129.

Përgëzimi i Isait, alejhi selam, është ai që na e tregoi Allahu në Kuran: “Dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas mej”. Saf 6.

Kurse për thënien e tij “nëna ime ka parë se nga ajo ka dalë një dritë e madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit”, ibën Rexheb el Hanbeli thotë: “Dalja e kësaj drite në momentin e lindjes është argument i ardhjes së tij me dritë që do të udhëzohen  banorët e tokës dhe do të largohet nga ajo errësira e shirkut ashtu siç thotë Allahu në Kuran: “O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (I Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë”. Maide 15-16.

Dhe poashtu tha: “Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit”. Earaf 157.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Veçimi i Shamit në hadith se do të paraqitet drita atje aludon në përqendrimin e fesë së tij dhe profecisë së tij në shtetet e Shamit dhe për këtë arsye Shami para Kiametit do të jetë fortesë e Islamit dhe muslimanëve dhe në të do të zbrit Isa, alejhi selam, në lindje të Damaskut tek minarja e bardhë, dhe për këtë në një hadith ka ardhur se: “Do vazhdojë të jetë një grup nga Umeti im të patundur nën urdhrin e Allahut, ata nuk do të dëmtohen nga kushdo që i kundërshton”.

Në një transmetim që e shënon imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë: “Ata do të jenë në Sham”.

 SHEJH AHMED FERID

Nga arabishtja. Irfan JAHIU

 

 

 

 

 

 

 

About Tema