Thirrja Islame
...Diçka që keni kërkuar
lkil

Ç’ËSHTË TELBINEJA DHE SI BËHET KURIMI ME TË

PYETJE: Ju lutem për një sqarim më të hollësishëm për sa i përet kurimit me telbine sipas mjekësisë pejgamberike.

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

Fillimisht të sqarojmë ç’është telbineja dhe si gatuhet.

Telbineja është një supë që përgatitet duke bluar dy lugë të elbit bashkë me krundet e tij. Pastaj kësaj i shtohet një gotë me ujë dhe zihet në një temperaturë të ulët në kohëzgjatje prej pesë minutash.

Dikush kësaj supe i shton edhe një lugë mjaltë.

Telbineja përmendet në disa hadithe sahiha. Prej tyre po përmendim:

Nga Aisheja radijAll-llahu anha, bashkëshortja e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na përcillet se kur vdiste ndonjë anëtar i familjes së saj dhe gratë mblidheshin për ngushëllim, pasi ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, ajo kërkonte një enë të thellë që të gatuajë një supë në të e cila quhet “telbine”, e pastaj thoshte: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut të thotë: “Telbineja është qetësuese e zemrës së të sëmurit dhe largon një pjesë të mërzisë së tij.” (Shënojnë Buhariu 5101 dhe Muslimi 2216).

Po ashtu, nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ajo i porosiste të sëmurët dhe të mërziturit nga vdekja e ndonjë të afërmi të hanë telbine, dhe thoshte: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: “Telbineja qetëson zemrën e të sëmurit dhe largon një pjesë të mërzisë së tij.” (Shënojnë Buhariu 5365 dhe Muslimi 2216).

Pra, nga këto dy hadithe shihet qartë se telbineja është ilaç për të sëmurin, ia zbutë mërzinë të mërziturit dhe e freskon dhe qetëson zemrën.

Nuk ka dyshim se dobitë e elbit janë të mëdha. Studimet bashkëkohore tregojnë për disa prej tyre, si: Ulja e kolesterolit, kurimi i zemrës, kurimi i depresionit, kurimi i diabetit dhe tensionit të lartë, zbutja dhe qetësimi i sëmundjes së kolonit (zorrës së trashë), etj. Po ashtu nga rezultatet e studimeve është ardhur në përfundim se elbi ndikon në parandalimin e kancerit të kolonit (zorrës së trashë).

Doktoresha Sahba Bunduk, pasi përmend detalisht kurimet e sëmundjeve që u përmendën më sipër, thotë: “Kësisoj, kurimi me telbine ndikon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe qarkullimit të gjakut, ngase ajo i mbron enët e gjakut nga skleroza (ngurtësimi), e sidomos arteriet koronare të zemrës. Po ashtu mbron nga angjina pektoris (dhimbje në gjoks apo gjendje e pakëndshme për shkak të sëmundjeve koronare të zemrës), simptomat iskemike (bllokimi i qarkullimit të gjakut) dhe infarkti miokardial (në popull e njohur si ‘pika në zemër’).

Ndërsa të prekurve nga këto sëmundje vaskulare dhe kardiovaskulare, telbineja, me të gjitha dobitë shëndetësore jashtëzakonisht të rëndësishme, u ndihmon në zvogëlimin e përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Nga këtu shihet mrekullia e fjalës së të dërguarit të All-llahut: “Telbineja qetëson zemrën e të sëmurit…”

All-llahu e di më së miri.

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com

Comments are closed.